Rama hedh sfidë nga Fieri, fton Berishën në debat për krimin dhe shëndetësinë
Partia Socialiste pasditen e sotme ka prezantuar programin e saj për një Rilindje kombëtare në qytetin e Fierit.Në fjalën e tij në këtë konferencë, kryesocialisti Edi Rama ka hedhur sfidën dhe ka ftuar kryeministrin Berisha për të bërë një debat për krimin dhe për shëndetësinë.“Ndërsa debatet duhet ti bëjmë. Të bëjmë një debat për shëndetësinë. Të bëjmë një debat për krimin, dhe të diskutojmë çfarë është krim. Është krim të shesësh detin që e ke trashëguar nga të parët? Sadaka me një firmë 300 km2 tungjatjeta. Është krim të grabisësh pasuritë natyrore, naftën, minierat? Është krim të grabisësh paratë, pronat e shqiptarëve? Apo është krim të firmosësh një peticion të gabuar? Apo është krim që të jesh në opozitë dhe të ta thërasin babanë në polici si kriminel? Apo ëhtë krim që të kesh fituar kundër qeverisë në një qytet dhe të të marrin të të ndalojnë në polici? Duhet ta ndajmë jemi njësoj apo nuk jemi njësoj. Kush është njësoj? Si jemi njësoj? Nuk jemi njësoj sepse janë ata që i bëjnë këto krime me pasuritë natyrore, me pronat publike dhe private të shqiptarëve, me ekonominë shqiptare në tërësi, me fshatin dhe janë po ata që tentojnë të na kriminalizojnë me çdo kusht”, është shprehur Rama.“Kur unë drejtoja bashkinë e Tiranës ndërmorëm një hap për të thyer statukuonë e ndihmës ekonomike passive dhe ndërrtuam një projekt për të nxitur punësimin, duke konsideruar se çdo përfitues I ndihmës ekonomike që ka aftësitë fizike për të punuar nuk mund të trajtohet me një lëmoshë e cila së fundmi është kthyer në taksë të votës. Ne bëmë vetëm një hap të parë me një projekt shumë modest dhe u bllokuam nga qeveria e Saliut. Nuk e quaj Sali Berisha për respekt të futbollistit të kombëtares.”Më tej kryesocialisti Edi rama ka vazhduar akuzat e tij ndaj kreut të qeverisë Sali Berisha, duke e quajtur atë personin përgjegjës për rrënimin ekonomik dhe social të Shqipërië.“Berisha është personi përgjegjës për rrënimin ekonomik dhe social të Shqipërisë, ai është frymëzuez i ndihmës ekonomike për arsye të përfitimit. Në këto 8 vitet e fundit, Kryeministri Berisha nuk ka qenë mes shqiptarëve në Shqipërinë reale. Përmes programit tone, kryeministri po zbulon se çfarë mund të ishte bërë. Programi ynë është më i detajuari që një parti ka patur në këto vitet e fundit. Sot Shqipëria ka nevojë për një ndryshim, për të bërë atë për të cilën ne ndryshuam sistemin. Me 260 USD në muaj familjet sot e kanë të vështirë të sigurojnë bukën e gojës. Më shumë se 60 % e tokës bujqësore është e paujitur dhe jashtë funksionit të saj. Kjo është një humbje të cilën nuk mund t'ja lejojmë vetes. Rilindja shqiptare fillon nga Rilindja e fshatit sepse fillon nga domosdoshmëria që ka vendi për të prodhuar. Qyteti i Fierit ka qenë dhe do të mbetet socialist “ u shpreh Rama.