Bulevardi i Tiranës, Veliaj: Rikthim në idenë origjinale. Reagon Bozdo i PD-së

Kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, njofton rikthimin e projektit për bulevardin e ri të Tiranës.Sipas kryebashkiakut, bulevardi i ri i Tiranës do të ketë një park qendror, rreth gjashtë herë më të madh se parku “Rinia”, me më shumë gjelbërim e më pak pallate.Erion Veliaj: “Arritëm me sukses të negociojmë me kompaninë britanike, e cila është firma e arkitekturës që ka konceptuar Bulevardin e Ri, që do të kthehemi në idenë origjinale që nënkupton një Park Qëndror në mes të bulevardit të ri që i rrit vlerën komunitetit, dhe është premtimi ynë publik për të shtuar parqet dhe jo hapësirat ku ndërtohet.Me ndryshimin e këtij projekti duke futur konceptin e Parkut Qëndror në mes të bulevardit të ri, besoj se jemi gati dhe sot kemi rifilluar punimet në lumin e Tiranës. Në të ardhmen përveç këtyre ndërhyrjeve emergjente do të sigurojmë ndoshta parkun më atraktiv të quajtur Bulevardi T, ku bulevardi i ri i Tiranës, bashkë me zonën e lumit të Tiranës do të jetë një nga zonat residenciale dhe komerçiale më interesante të qytetit tonë.Është lajm i mirë për banorët e zonës. Do t’i shtohet një park i ri. Edhe me lumin edhe me Parkun Qëndror të bulevardit. Është lajm i mirë edhe për ata që kanë pronë, do të ketë një rritje të vlerës së pronës dhe truallit në këtë zonë çka do të bëjë që të mirat ekonomike të Tiranës të shpërndahen jo vetëm në qendër por edhe në qendra që deri dje ishin periferike. Brenda këtij mandati do të jetë një nga zonat më të lakmuara të Bashkisë së re të Tiranës”.Kryetari i Bashkisë këtë të hënë ka zgjedhur të udhëtojë me autobusin e linjës së Laprakës për të inspektuar problemet e kesaj linje urbane si dhe ka ndjekur nga afër punimet që po kryhen në lumin e Tiranës.Bulevardi i ri i Tiranës do të shtrihet në zgjatimin e bulevardit ekzistues në një zonë ende të pazhvilluar në aspektin urban. Bulevardi i ri do të përfundojë në lumin e Tiranës, duke konkretizuar kështu të ashtuquajturin projekt të Parkut T.Reagon Bozdo: Projekti i Veliaj, 5 herë më i vogël se ai i demokratëveKëto deklarata të kryetarit të bashkisë PD i cileson te paverteta.Ne nje njoftim për mediat ish-nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo tha se parku që ofroi Veliaj është minimalisht pesë herë më i vogël se hapësira e gjelbër që ofron projekti origjinal i bulevardit dhe lumit të Tiranës.Zoti.Bozdo thote se projekti i bulvardit u bllokua nga qeveria per interesa klienteliste.Deklarata e plotë

E rëndë është të gënjesh, por edhe shumë e vështirë të heqësh dorë nga ky ves: Parku që ofroi sot Veliaj, është minimalisht pesë herë më i vogël se hapësira e gjelbër që ofron projekti origjinal i Bulevardit dhe Lumit të Tiranës!

Zëvëndëskryetari i Bashkisë Veliaj premton një park në qendër të Bulevardit të Ri(?!) Sot Veliaj përsëri gënjeu, në përpjekje për t`i mbushur mendjen opinionit publik se po afron gjelbërim për Tiranën; në të vërtetë, kjo “ofertë” e maskuar thjesht redukton hapësirat e gjelbërta.

Praktikisht nuk do të ketë më Bulevard, ndërsa projekti orgjinal (që Veliaj shpalli sot të pavlefshëm) kishte 300 mijë m2 gjelbërim të planifikuar, pa llogaritur këtu rreth 1 milionë m2 gjelberim shtesë që Tirana përfiton nga projekti i Lumit të Tiranës!

Pra, 1.3000.000 m2 gjelberim gjithsej i dhuroheshin Tiranës nga projekti origjinal, që Veliaj anulloi sot me një të rënë të lapsit, ndërsa i premton Kryeqytetit një park të ri, i cili në rastin më të mirë do të jetë sa 1/5 e gjelbërimit të projektit të parë!

Me sa duket arsyet e vërteta të bllokimit për më shumë se dy vite e projektit të Bulevardit dhe të Lumit të Tiranës janë thjesht interesa betoni!

Gjatë këtyre dy viteve, 2000 punëtorë humbën punën ndërsa Tirana humbi gjelbërimin mëse të nevojshëm pas batërdisë që Rama, Kryebashkiaku i djeshëm dhe i sotëm, i bëri kryeqytetit në 11 vite!Zëvëndësi i tij Veliaj, sot, në vend të kërkonte falje për të gjithë zullumet e bëra nga shefi i tij, vendos ndryshimin e projektit në emër të gjelbërimit, ndërsa projekti i mëparshëm i falte Tiranës 1.3 milionë m2 gjelbërim, pa llogaritur aspak Parkun e madh të Paskuqanit, aty ku terminonte Bulevardi i Tiranës (që tashmë do të ndërpritet nga parku i Veliajt)

Përfundimisht, gënjeshtra dhe punët e mira për Tiranën ecin në drejtimin e kundërt! Kush kujton se mund ti`a hedhë paq duke gënjyer, thjesht gënjen veten, por jo Tiranën dhe qytetarët e saj!