LSI: Qeveria të mbledhë të ardhurat,të mos rëndojë qytetarët me taksa
Aleati kryesor i PS në qeverisje, LSI lëshon një apel për qeverinë të mos i rëndoje qytetarët me taksa për shkak të pamundësisë për të mbledhur të ardhurat për shkak të evazionit fiskal. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, tha se politika e taksave duhet të jetë në funksion të rritjes ekonomike, ndërsa la të hapur mundësinë për të mbështetur idenë e rikthimit të taksës së sheshtë.Lëvizja Socialiste për Integrim kristalizon qëndrimin kritik ndaj politikës së taksave të ndjekur nga qeveria.Pas kreut të LSI-së, Ilir Meta, që e cilësoi jo të zgjuar vizionin e ndjekur deri tani për sistemin e taksave, është numri 2 i kësaj force, Petrit Vasili, që i kërkon qeverisë të tregojë kujdes me barrën fiskale ndaj qytetarëve. Petrit Vasili: “Çdo ndryshim në politikat e taksave, nuk duhet të priret në asnjë rast nga pamjaftueshmëritë që vërehen në funksionim dhe që lidhen me evazionin fiskal, me administrimet më efikase apo të dobëta apo me korrupsionin, por duhet të priren nga qëndrime vizionare, të cilat nënkuptojnë që këta elementë janë të përmirësueshëm dhe që janë në dorën e qeverisë, të tjerët janë element që kanë të bëjnë me orientimin e biznesit dhe të ardhmen e tij”.I pyetur nëse LSI do pranonte rikthimin e taksës së sheshtë e aplikuar në kohën e qeverisjes se demokratëve, Vasili dha këtë përgjigje: Petrit Vasili:“Në çdo vend ku ka nevojë për korrigjime, ato të bëhen shpejt dhe pa hezitim duke bërë në çdo rast një analizë të situatës të kujdesshme, të vëmendshme, sepse vetëm kjo analizë mund të prijë drejt vendimeve të drejta. Çdo vendim i marrë pa një analizë të kujdesshme, sigurisht që do të riciklonte problemet e mëparshme”.Në komunikimim me gazetarët, Vasili evitoi komentin direkt për kthimin e ligjit të turizmit nga Presidenti i Republikës, por shprehu keqardhje pasi sipas tij këto vendime sjellin humbje kohe.