Rënia ekonomike, INSTAT: Bie konsumi, inflacioni në korrik 1.3% nën objektiv
Ekonomia shqiptare është në ngërç si pasojë e rënies së konsumit dhe e rënies së çmimeve.Sipas të dhënave të INSTAT për muajin korrik inflacioni ka pësuar një tjetër ulje duke shkuar në nivelin e 1.3 % nga 1.8 % që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Inflacioni për korrikun vlerësohet nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.Ecuria e ekonomisë në vendin tonë vijon të jetë në stanjacion. Këtë fakt e tregon edhe rënia e nivelit të inflacionit në nivelin 1.3 % për gjatë muajit korrik ndërkohë që një vit më parë ka qenë 1.8 %.Disa nga shkaqet kryesore të rënies së inflacionit janë konsumi i dobët në një kohë që çmimet vijonë të kenë rritje të ngadaltë.Gjithashtu në mbajtjen e një niveli të ulët të inflacionit sipas ekspertëve kanë ndikuar edhe çmimet relativisht të ulëta në tregjet botërore.Sipas të dhënave të INSTAT çmimet kanë pësuar ulje kryesisht në grupin e veshjeve dhe këpucëve,transporti dhe shëndetësia të cilët janë edhe nëngrupet që kanë dhënë kontributin kryesor në uljen e mëtejshme të nivelit të inflacionit. Ndërkohë që krahasuar me muajin Korrik 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin "Shërbimi arsimor" me 10,1 %, pasuar nga grupi "Pije alkoolike dhe duhan" me 6,6 %,.Inflacioni mesatar vjetor i tremujorit të dytë rezultoi në nivelin 1.8%. Sipas Bankës së Shqipërisë rritja e ngadaltë e çmimeve pasqyron efektin e një kërkese të dobët agregate si dhe çmimet relativisht të ulëta në tregjet botërore. Inflacioni mesatar i vitit 2015 pritet të luhatet rreth nivelit 2%. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se inflacioni do të vazhdojë të rritet më tej gjatë dy viteve të ardhshme dhe të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin tonë prej 3%, rreth fundit të vitit 2017.