Gjermani, samiti për azilantët do të mbahet më 9 shtator
Si pasojë e presionit ndaj politikës në Gjermani, Samiti i planifikuar për të adresuar numrin e lartë të azilkërkuesve do të mbahet përpara parashikimeve, më 9 shtator.Gazeta "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung", referuar njoftimit të zyrës së Kancelares Angela Merkel, njofton se gjendja e tensionuar në kampet e refugjatëve solli spostimin e datës së samitit mes qeverisë në Berlin dhe qeverive të landeve. Kryeministri bavarez Horst Seehofer ka këmbëngulur për këtë takim duke theksuar se samiti nuk mund të shtyhet deri në vjeshtë. Sipas tij, në rast se nis stina e ftohtë është tepër vonë, "pasi në dimër nuk mund të strehohen njerëzit në çadra," dhe " refugjatët duhen shpërndarë mandej në objekte publike, dhe kjo, sipas tij, duhet shmangur."Samiti pritet të diskutojë edhe zgjerimin e rrethit të vendeve të sigurta të origjinës dhe përfshirjen në të të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Ky klasifikim mundëson një dëbim më të shpejtë nga Gjermania.Këtë vit kanë Gjermania ka pritur 200.000 azilkërkues. 97,000 e tyre janë nga Ballkani dhe nga këta 78.000 nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Niveli i refuzimit të kërkesave të refugjatëve nga Ballkani është 99 për qind.