BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike, 0.6% për 2012
Banka Europiane për Rindërtim ul parashikim për rritjen ekonomike të Shqipërisë. BERZH vetëm gjatë muajit korrik e përcaktoi rritjen ekonomike për vendin tonë 1.2 përqind, ndërkohë që në raportin e fundit rritja ekonomike rishikohet dhe vlerësohet vetëm 0.6 për përqind për vitin 2012.Kjo tkurrje e rritjes ekonomike sipas raportit më të fundit të BERZH vjen si pasojë e përkeqësimit të krizës ekonomike tek dy partnerët tanë më të rëndësishëm tregtar, Italia dhe Greqia. Shqipëria realizon shkëmbimet më të shumta tregtare me këto dy vende të cilat po përballen me probleme financiare të cilat po thellohen gjithmonë e më shumë.Ndërkohë që ulja e remitancave sipas BERZH është një tjetër efekt që ka ndikuar në uljen e parashikimit për rritjen ekonomike, pasi emigrantët shqiptarë janë të punësuar kryesisht në Greqi dhe Itali. Një tjetër element i cili vlerësohet si me rrezik është edhe niveli i borxhit publik, i cili vlerësohet në limitet e tij. Shifra për rritjen ekonomike 0.6 përqind është një parashikim i cili afrohet me atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili e ka vlerësuar rritjen e ekonomike të Shqipërisë për këtë vit vetëm 0.5 përqind.Ndërkohë që për 2013 BERZH parashikon një shifër më optimiste, duke e vlerësuar rritjen ekonomike me 1.4 përqind. Në raport theksohet se shumë ekonomi të Europës janë të pasigurta dhe rrezikojnë prej sistemit financiar. Ajo që vihet re është fakti se parashikimi i qeverisë për një rritje ekonomike prej 3 përqind për këtë vit qëndron mjaft larg parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare financiare.