Ligjet miratojnë dekretet e Nishanit, PS braktis mbledhjen
Ndërsa mazhoranca në komisionin e ligjeve i ka nisur Kuvendit për miratim tre dekretet e kreut të shtetit për 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe një të Gjykatës së Lartë, opozita ka brakstisur mbledhjen e komisionit.Deputeti Pandeli Majko e ka konsideruar antikushtetuese qëndrimin e mazhorancës ndërsa tha se në Kuvendin e Shqipërisë janë sjellë më parë dekretet e ish- presidentit Topi për këto emërime, të cilat kuvendi nuk i mori asnjëherë në shqyrtim.“Ky proces është në shkelje të Kushtetutës. Ka dekrete të depozituara nga ish-presidenti Topi që nuk janë shqyrtuar në Kuvend. Ne nuk mund të marrim pjesë në një çorbë të tillë” është shprehur deputeti socialist Pandeli Majko dhe më pas të gjithë deputetët e opozitës janë larguar nga mbledhja.Në përgjigje të qëndrimit të opozitës kreu i komisionit Ilir Rusmajli tha se komisioni po zbaton ligjin ndërsa shtoi se opozita largohet nga komisioni pasi me humbjen e zgjedhjeve në qershor do të duhet të sulmojë institucionin e Gjykatës Kushtetuese."Është çështje e vullnetit politik nëse anëtarët e opozitës qëndrojnë ose ikin nga komisioni. Opozita është larguar me dhjetra herë duke lënë në baltë shqiptarët, ajo përbuz Kushtetutën. Sot ne jemi në një proces për plotësimin e vendeve vakante dhe opozita iku për të mos votuar kandidatët. PS do të sulmojë Gjykatën Kushtetuese siç ka bërë me KQZ-në dhe me institucione të tjera" tha Rusmajli.Ndërkaq deputeti demokart Enkelejd Alibeaj deklaroi votën e tij pro për dekretin e presidentit për Xhezair Zaganjorin si anëtar të Gjykatës së Lartë ndërsa për dy dekretet e tjera Gani Dizdarin dhe Besnik Imerajn deklaroi votën e tij abstenuese.Besnik Imeraj, Gani Dizdari dhe Xhezair Zaganjori kanë shpalosur para deputetëve demokratë kurrikulimin e tyre profesional ndërsa u kanë kërkuar deputetëve votëbesimin në Parlament.Ja kush janë 3 kandidatët e dekretuar nga Presidenti Nishani1. Gani DizdariKa lindur në Tropojë, më 30 Prill 1949. Është i vë dhe ka një fëmijë. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë më 1972. Ka punuar si Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Tropojë në periudhën 1973-1982 dhe si Prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Departamenti Gjyqësor nga 1982-1989. Nga 1989-1995 ka qenë Prokuror pranë Gjykatës së Kasacionit, dhe prej 1995-1999 ka qenë Zëvendës-Prokuror i Përgjithshëm. Ka ushtruar profesionin e avokatisë nga 1999-2006 si anëtar i Dhomës së Avokatëve Tiranë. Që prej 2006 është Anëtar i Komisionit të Reformës Ligjore, Kryetar i Nën-Komisionit Penal. Me dekretin nr. 4732, datë 15 Dhjetor 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë dhe nga Qershor 2007 Kryetar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë….2. Besnik YmerajKa lindur më 6 Dhjetor 1954 në Tiranë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, më 1977. Ka punuar Hetues pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan nga 1977-1986. Nga 1986-1991 ka qenë Drejtor Drejtorie në Hetuesinë e Përgjithshme Tiranë. Ka qenë Jurist pranë shoqërisë tregtare “TRANS-ALBANIA” nga 1991-1995. Gjatë periudhës 1 Janar 1998 deri më 1 Mars 2005 ka qenë Kryetar i Gjykatës së Apelit Durrës. Gjatë periudhës 2000-2006 ka qenë Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhe që prej vitit 2000 është pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës. Me dekretin nr. 4482, datë 17 Shkurt 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.3. Xhezair ZaganjoriLindur më 09.03.1957 në Shkodër. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2009 “Profesor”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Është pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.