Ministri Panariti pret delegacionin e Ministrisë së Jashtme të Hollandës
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti priti sot në një takim delegacionin e Ministrisë së Jashtme të Hollandës, të kryesuar nga z. Robert de Groot, Drejtor i Përgjithshëm për Bashkëpunimin Evropian në këtë ministri.Në takim u diskutua mbi ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.Ministri Panariti vlerësoi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e Qeverisë Shqiptare për thellimin e mëtejshëm të tyre. Duke nënvizuar rëndësinë e dialogut politik përmes shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, ai sugjeroi zhvillimin e një vizite në nivel ministrash të Jashtëm.Më tej, Ministri Panariti falenderoi për asistencën në vazhdimësi që Hollanda ofron përmes Programit MATRA, në mbështetje të reformave që po kryhen në vendin tonë. Ai shprehu interesin e palës sonë për të pasur më shumë shkëmbime ekonomike e biznesi, sipas fushave me interes reciprok.Duke u ndalur në integrimin evropian të vendit, Ministri Panariti falenderoi për mbështetjen e dhënë nga Hollanda në këtë proces dhe informoi mbi progresin e bërë në këtë drejtim, duke siguruar se integrimi mbetet një prioritet kombëtar dhe se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për plotësimin e kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat.Në fjalën e tij Drejtori de Groot, vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri në dekadën e fundit dhe progresin e arritur nga Shqipëria në procesin e integrimit. Ai konfirmoi se Hollanda mbështet zgjerimin e BE-së dhe në këtë kuadër, inkurajon Shqipërinë në plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjithashtu, ai nënvizoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria e reformave të kryera.Gjatë takimit, u diskutua edhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin tonë. Ministri Panariti e siguroi Drejtorin de Groot për vazhdimësinë e angazhimit tonë në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, duke luajtur kështu një rol konstruktiv. Drejtori de Groot vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit politik të rajonit.