Berisha: Investime të mëdha për një turizëm ambicioz
Kryeministri Berisha premtoi sot hartimin e projekteve të mëdha turistike si dhe investime të mëdha në këtë degë të rëndëshme në 4 vitet që do të vijnë.Në një takim me biznesmenët në fushën e turizmit në Durrës, kryeministri theksoi se gjatë mandatit tjetër do të ndryshohet kursi në turizëm, me kalimin e fokusit nga turizmi i bizneseve familjare, në tërheqjen e investitorëve me kapacitete të mëdha financiare."Në mandatin tonë të fundit, janë ndërtuar 514 kilometra rrugë vetëm për destinacionet turistike, drejt brigjeve apo maleve të vendit. Janë në ndërtim edhe 14 impiante të përpunimit të ujrave, në mënyrë që ujrat e deteve shqiptare të jenë më të pastrat në të gjithë rajonin. Kemi një masterplan të bregdetit jonian dhe po punohet edhe për një plan për veriun e vendit. Në 4 vitet që vijnë qeveria ka ndërmend të marrë përsipër hartimet e projekteve të mëdha turistike për t`ia ofruar kompanive dhe vendeve që kanë mundësi financiare. Në mandatin e ardhshëm, ne do të bashkëpunojmë me kompanitë më serioze, me kapacitete të mëdha ekonomike, për të ndërtuar komplekse dhe kapacitete të mëdha turistike", tha Berisha.Kryeministri Berisha ka theksuar se qeveria ka ndjekur një politikë fiskale realiste dhe shumë tolerante për turizmin duke shtuar se është evituar qëllimisht gradimi i hoteleve me qëllim shmangien e korrupsionit."Diçka e tillë, deri më sot nuk është bërë qëllimisht, për të lejuar ngritjen e një biznesi familjar, mbi të cilin zonat turistike janë bërë ato ku regjistrohet varfëria më e ulët në shkallë vendi. Megjithatë, tashmë janë pjekur kushtet për një turizëm sa më ambicioz” tha Berisha.Më tej kreu i qeverisë tha se në katër vitet që vijnë duhet të rankojmë të gjithë institucionet që presin turistë, si dhe vendosjen e një raporti të ri mes qeverisë dhe agjencive turistike të vendit.