Halimi:Paga më të mira për gjyqtarët, redukton nivelin e korrupsionit
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka publikuar sot reformën më të re në sistemin e drejtësisë, atë të pagave të gjyqtarëve.Në një mesazh të postuar në Facebook, ministri Halimi thekson se një pagë më e mirë për gjyqtarët do të bëjë të mundur reduktimin e nivelit të korrupsionit te togat e zeza."Një grup ekspertesh ne Ministrinë e Drejtësisë, kanë përfunduar draftin e ligjit për reformën e pagave në sistemin gjyqësor. Në strategjinë e reformës se sistemit te drejtësisë përveç rritjes së eficensës së sistemit gjyqesor nëpërmjet rishpërndarjes se gjyqtarëve sipas ngarkesës, rritjes së trasparencës se sistemit me fokus rritjen e pergjeshmerise dhe llogaridhenies, padyshim qe përmirësimi i statusit të gjyqtareve është një nga çështjet kryesore të reduktimit të korrupsionit në sistemin gjyqësor. Rritja e pagave është element thelbësor i përmirsimit të statusit. Një rrogë më e mirë për gjyqtaret kam bindjen se do të ndikojë në reduktimin e korrupsionit. Paketa ligjore e hartuar për këtë çështje përfshin një set nenesh të cilat janë duke u publikuar në faqen e Ministrisë së Drejtesise” thekson Halimi.Sipas Halimit, reforma e pagave për gjyqtaret është edhe një garanci më tepër për karrierën e gjyqtarëve duke shtuar se një gjyqtar nuk duhet të ketë pagë jo më pak se 1000 dollarë në muaj. “Çdo gjyqtar që fillon punën ditën e parë nuk mund të ketë një pagë më të vogël se 100.000 lekë/muaj. Është e rëndësishme që gjyqtarët që dalin nga bankat e shkolles, te filojne karrirën e tyre me një page dinjitoze, si një element më shumë në resistencen ndaj tundimit për të devijuar. Një pagë më e mirë, do ta bëjë atë më të pavarur nga vektoret ekonomike, por dhe të përgjegjshëm nga çdo sanksioni.Gjyqtari i krimeve të rënda do të paguhet jo më pak se 120.000 lekë/muaj. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit (minimalisht 7 vjet gjyqtar karriere) nuk mund të ketë pagë më të ulët se 140.000 lekë/muaj)” thekson Halimi.Ai ka shtuar më tej se kjo reformë bën të mundur rregullimin njëherë e mirë të statusit të gjyqtarit."Një sistem karriere i qartë, trasparent dhe i besueshëm, po instalohet në KLD nga presidenti Nishani, por ky proces padyshim që duhet të shoqërohet dhe me përmirësimin e sistemit të pagës . Një gjyqtar i shkallës së parë mund të qëndrojë gjithë jetën në atë gjykatë dhe të mos ketë mundësi për të shkuar në një gjykatë apeli edhe për faktin se numri i gjyqtarëve të apelit është sa 1/5e numrit të atyre të shkallës së parë, por ai duhet të përfitojë pagën e gjyqtarit të apelit nëse ka një vjetërsi deri 25 vjet në karrierë. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit mund edhe të mos shkojë në Gjykatën e Lartë, sepse numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë është sa 1/5 e atyre të apelit por ai duhet të përfitojë pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nëse qëndron në këtë detyrë për me shumë se 25 vjet. Reforma e sistemit të drejtësisë është një proces i pandalshëm por ne jemi të vendosur që të ecim perpara, për ta bërë sistemin gjyqësor, më të pavarur, më të paanshëm, më trasparent e llogaridhënës, më të besueseshëm dhe më eficent” sqaron më tej Halimi.Ai gjithashtu ka theksuar se drafti ligjor i rritjes së pagave do të kaloj brenda muajit prill në Parlament.