Shtohen akuzat për pedofilin Prrenjasi

Vetëm pak ditë pas publikimit të ngjarjeve horror që kanë për autor monstrën Ardian Prrenjasi, ndaj tij hidhet edhe një tjetër akuzë për zhdukjen e një tjetër fëmije, kësaj rradhe në qytetin e Elbasanit.Familja e Jakup Carjas që jeton në Elbasan, e cila në vitin 2004 ka humbur në mënyrë misterioze djalin asaj kohe 9-vjeçar Arturin, ka dyshime të forta se monstra Prrenjasi ka dorë edhe në zhdukjen e djalit të tyre.Artur Carja u zhduk në datën 7 korrik 2004 teksa kishte dalë bashkë me vëllain  e tij 11 vjeçar, në atë kohë për të shitur qese plastike pranë markatës së qytetit të Elbasanit, nga ku humbi dhe nuk u kthye më në shtëpi.Babai i Arturit, Jakupi, mes dhimbjesh shprehet i bindur se edhe djali i tij është zhdukur nga dora e monstrës për të cilin ai dyshon se merret me trafikim të miturish.Jakupi i bazon dyshimet e tij në faktin se njihet prej kohësh me Prrenjasin, pasi  janë nga zona të thella të Librazhdit, dhe ky i fundit e ka ditur gjendjen e rënduar financiare të familjes Carja ndaj dhe sipas babait të Arturit, monstra e ka rrëmbyer për ta trafikuar.Babai i këtij të fundit i bën thirrje Prokurorisë dhe policisë të rishikohet edhe një herë  çështja e zhdukjes së Artur Carja-s, të shqyrtohen të gjitha mundësitë e implikimit të Ardian Prrenjasit në zhdukjen e djalit të tij.Apeli për gjetjen e Arturit të zhdukur prej 9 vitesh, tashmë vinë edhe nga vëllai i tij Adhurimi dhe motra e tij Marsela, të cilët kërkojnë që vëllai i tyre ti bashkohet familjes.Ka 9 vjet që familja Cara jeton e traumatizuar dhe në ankth nga kjo humbje për të cilën nuk dinë as detajin më të rëndësishëm, nëse djali i tyre është gjallë apo jo. Kjo çështje vazhdon ta rëndojë gjendjen shpirtërore të kësaj familje e cila ende shpreson për zbardhjen e zhdukjes së Arturit, për të cilën tashmë kanë një të dyshuar, Ardian Prrenjasin.