Shkodra ende nën ujë, del nga shtrati liqeni
Disa familje shkodrane në lagjen Livadhe në periferi nuk kanë pranuar të dalin nga shtëpitë e tyre këtë mbrëmje, edhe pse janë paralajmëruar nga pushteti lokal se rrezikohen nga përmbytja gjatë natës.Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë nxituar t’u afrojnë ndihmë, pas njoftimit se mund të ketë shkarkime nga hidrocentralet gjatë natës dhe rritje të kuotave të ujit, mirëpo banorët nuk kanë pranuar të largohen nga banesat.Prej ditës së djeshme jo vetëm ultësira e Qarkut Shkodrës por edhe qyteti është përfshirë nga përmbytjet, ndërkohë dalja nga shtrati e Liqenit të Shkodrës ka bërë që uji të dalë në pedonalen pranë urës së vjetër të Bunës.Shkak i rritjes së nivelit janë bërë prurjet e mëdha nga lumi Moraca në Mal të Zi si dhe shkrirja e dëborës. Ndërkohë që rritja e nivelit të lumit Drin pengon derdhjen e liqenit në det. Si pasojë e fryrjes së liqenit uji ka dalë edhe në aksin Shkodër- Shirokë në 3 vende të ndryshmë të këtij aksi, ndërsa në qendër të Shirokës ka prezencë uji. Situata ka vazhduar të përkeqësohet që prej mbrëmjes së djeshme.