Berisha: Ashpërsim të dënimit për pedofilët por jo kthim të dënimit me vdekje

Kryeministri Berisha deklaroi sot se në bazë të paketës së re ligjore do të ashpërsohet dënimi për pedofilët. Ndërsa iu referua rastit të pedofilit Ardian Prrenjasi, kryeministri ka theksuar se ka një sërë propozimesh për dënimin e pedofilëve, mes tyre edhe ajo për sterilizim.

"Një ngjarje që ka tronditi opinionin publik ishte akti i një monstre që ka vrarë një fëmijë dhe po pregatiste vrasjen e fëmijës tjetër që fatmirësisht policia e nxori nga kthetret e vdekjes së kësaj monstre. Opinioni i revoltuar nga kjo ngjarje tronditëse kërkon rikthimin e dënimit me vdekje. Mirëpo Shqipëria është anëtare e KiE-së dhe heqja e dënimit me vdekje është kusht për anëtarësimin. Asnjë nga shtetet anëtare të KiE-së nuk e ka dënimin me vdekje sepse bie në kundërshtim të hapur me konventën e të drejtave të njeriut.  Cilido që dëshiron mund të lexojë. E vërteta është se efekti në uljet e vrasjeve është shumë shumë i pasigurtë dhe kjo është arsyeja që në SHBA një seri shtetesh kanë votuar heqjen e dënimit me vdekje se kanë parë që ai nuk ka pasur një ndikim të përfillshëm në uljen e kriminalitetit. Gjërat duhet t’i shohim pavarësisht se revolta shpirtërore është e ligjshme, por duhet të na udhëheqë objektiviteti” tha Berisha.
Sipas tij, ata që deklarojnë si tellallë se mori fund shoqëria e shtetit, bëjnë deklarata të papërgjegjshme, që kanë për bazë ose mllefe, ose injorancën."Një shtet që ka shkallën më të lartë të zbulimit, shkallën më të lartë të ndëshkimit në përputhje me ligjin dëshmon para qytetarëve se ligji funksion. Nuk them se nuk ka probleme, nuk them se nuk ka persona që duhen të vendosen para ligjit për moszbatimin e tij, por policia ka shkallën më të lartë të zbulimit dhe ndalimit të kriminelëve. Kjo është arritje për çod qytetar.Të vësh në shënjestër një instiucion që ka shkallën më të lartë të zbulimi do të thotë që të jesh i verbër në shkallën politike” tha kryeministri, duke shtuar se krimet në familje, ndaj gruas dhe fëmijëve do të marrin ndëshkimin më të rreptë.