Berisha: Rritje të punësimit në 4 vitet që vijnë. Alternativa tjetër, gënjeshtër

Kryeministri Berisha ka inaguruar sot rikonstruksionin e segmentit rrugor Gramsh-Kodovjat. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha premtoi sërish rritje të punësimit gjatë 4 viteve të ardhshme.“Rruga që ne ndërtojmë është një shans dhe një potencial i madh për punësim, sepse ajo hap tregun dhe bën që prodhimet tuaja të shiten me koston më të ulët të transportit. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë me të cilat kanë punuar  jo më pak se 58 mijë forca pune. E tërë përpjekja jonë është të krijojmë sa më shumë vende pune” ka theksuar Berisha.Kryeministri ka garantuar se gjithçka është e mundshme, e realizueshme dhe aspak e ngjashme me alternativën në erë të PS-së për punësimin.“Alternativa tjetër është gënjeshtër dhe vetëm gënjeshtër. Ne premtojmë se në 4 vitet që vijnë do të ketë edhe 250 mijë vende të reja pune.  Këtë premtim e kemi shumë real, shumë konkret. Vetëm 4 vitet që shkuan qeveria pajisi me grande 42 mijë familje shqiptare, por nëse ne kemi bërë kaq, krijuam dhjetëra mijëra vende pune, katër herë më shumë ka investuar sektori privat në ferma” tha Berisha.Sipas tij, në bujqësi u punësuan 100 mijë shqiptare 4 vjet të shkuara, në katër vitet që vijnë do punësohen edhe shumë më shumë.Ai gjithashtu premtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme Gramshi do të njohë transformimin më të madh pasi sipas tij do të nisë edhe ndërtimi i Kaskadës së Devollit duke bërë të mundur edhe rritjen e punësimit.Rruga Gramsh-Kodovjat, e asfaltuar me parametra bashkëkohore e siguri të plotë do të krijojë kushte normale transporti, duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore, dhe tregjet bujqesore.Nga ndërtimi i kësaj rruge me një gjatësi prej 13.4 km do të përfitojmë 13 mijë banorë në komunat  Kodovjat,  Pishaj, duke shërbyer edhe si arterie kryesore për komunat Kukur e Lenie të këtij rrethi.