Vendet vakante në Gjykata, Nishani takohet me krerët e grupeve parlamentare
Presidenti i Republikes Bujar Nishani nis takimet me krerët e partive parlamentare për t'u konsultuar për plotësimin e vendeve vakante që do të krijohen në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.Takimin e parë, kreu i shtetit e ka zhvilluar në presidencë me kryetarin e grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, ndërsa në orën 11:00 ai është takuar edhe me kreun e grupit socialist Gramoz Ruçi.Kreu i grupit demokrat Patozi është shprehur se në takim nuk janë janë propozuar emra për anëtarin e Gjykatës së Lartë, dhe as për Kushtetuesen.Sipas tij, në takim është diskutuar për kriteret profesionale që duhet të kenë kandidatët si anëtarë për këto gjykata.“Ne na intereson integriteti moral dhe profesional i anëtarve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ne vlerësojmë praktikën që po konsolidon presidenti, duke u konsultuar me forcat politike. Kjo është në funksion të mirëfunksionimit të ndërsjelltë të institucioneve” është shprehur Patozi.Ndërsa kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi është shprehur se opozita ka si kriter se si Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese të bëhen të pavarura dhe të luftojnë krimin dhe korrupsionin.Ruçi e ka cilësuar si anti-ligjore kërkesën e presidentit për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilëve sipas tij i përfundon mandati në muajin maj.“Lidhur me mandatin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, presidenti paraardhës ka çuar dekret në Kuvend. Topi ka paraqitur një dekret para 8 muajsh për vendin vakant në Kushtetuese dhe Kuvendi ende nuk e ka shqyrtuar.Sot kërkohen konsultime dhe për dy anëtarë të Kushtetueses që u mbaron mandati në 22 maj 2013. Për ne sot nuk ka vakanca për dy anëtarët e Kushtetueses, pasi mandati i tyre mbaron në maj. Është antiligjore dhe antikushtetuese, nëse presidenti kërkon kandidat për 2 anëtarë,që s'u ka mbaruar mandati. Kriteret për këta anëtarë janë të përcaktuara në Kushtetutë dhe ne po kërkojmë dy kritere të tjera që janë” tha Ruçi.Gjithashtu presidenti Nishani është takuar sot edhe me kreun e grupit të LSI-së Lefter Koka, me kryetarin e PR-së Fatmir Mediu, me kreun e PBDNJ-it Vangjel Dule ndërsa në orën 15:00 me kryetarin e PDIU-së Shpërtim Idrizi.