Shehu: Rruga e Arbërit premtim i PD-së. Rama ka bllokuar çdo investim në rrugë
Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj kritikave të bëra nga kryesocialisti Rama në qarkun e Dibrës për rrugën e Arbërit.Në një konferencë për shtyp, Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu theksoi se Rama e ka kundërshtuar këtë rrugë në çdo moment dhe ka bllokuar progresin." E vërteta është se Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit te kësaj rruge 3 herë rresht, dhe hera e fundit vetëm para 3 muajsh dhe ka përdorur çdo mundësi për të bllokuar progresin për qytetaret me kusht që të marrë diçka për vete. Rruga e Arbrit është premtimi solemn i PD-së, si një rrugë e dytë e kombit, dhe pavarësisht sajesave të z.Rama, ndërtimi i saj ka filluar dhe po ecën përpara", tha deputeti Shehu.Ai bëri të ditur se ndërkohe që çështjet teknike kanë vonuar tunelin e Murrizit, tani që janë sqaruar këto probleme, brenda këtij viti do të fillojnë punimet për ndërtimin e tunelit dhe të urës së Vashës."30 km janë ndërtuar tashmë dhe ndërtimi po vijon si nga Bulqiza edhe nga Tirana. Rama duhet që të kërkojë ndjesë publike se ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër rrugës së Arbrit dhe kundër çdo rrugë tjetër dhe çdo investimi në këto 3 vite", tha deputeti demokrat, Sherefedin Shehu.