Listat, Berisha:Rama terror partiak. Gjithçka për punësimin

Programi për punësimin, liria e tregut dhe marrja e statusit të vendit kandidat do të jenë 3 shtyllat kryesore të Partisë Demokratike për punësimin e shqiptarëve në 4 vitet që vijnë. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp duke theksuar se rritja ekonomike është dhe mbetet gjeneratori më kryesor i krijimit të vendeve të punës.Në përpjekjen tonë për punësim, ne kemi studiuar të gjitha potencialet dhe mund t’ju them se, mbi bazën e sukseseve të deritanishme, ato janë realisht shumë premtuese. Pas bilancit të katër viteve që shkuan, ne do të paraqesim para shqiptarëve, krijimin e vendeve të punës, sipas çdo sektori.“Kjo qeveri do të bëjё gjithçka që të dyfishojë investimet e huaja, krahasuar me vitin 2013-të Kjo qeveri është e sigurt se do ta tejkalojë këtë objektiv. Projekte të mëdha dhe gjigante tashmë janë konturuar në horizontin e Shqipërisë. Krahas tyre, qeveria do të kontraktojë firmat më serioze, për hartimin e projekteve të tjera të mëdha, për t’ia ofruar ato biznesit ndërkombëtar, duke pasur si kriter themelor punësimin e mijëra e mijëra qytetarëve. Studimet e bëra kanë identifikuar të gjitha ndërhyrjet dhe operacionet që duhet të bëj qeveria, për krijimin e vendeve të punës, jo vetëm nëpërmjet investimeve të saj publike, por edhe nëpërmjet financimit dhe mbështetjes së sipërmarrjes private. Duke nisur nga nesër dhe ditët në vazhdim do t'u paraqesim shqiptarëve, në termat më konkrete, më realistё, të gjithë programin tonë të punësimit në të gjitha fushat, në katër vitet që vijnë. Këto premtime, këto projekte, këto zotime, ne i marrim bazuar në arritje reale, arritje që kanë bërë ta vlerësojnë Shqipërinë, një histori të vërtetë suksesi, arritje që kanë bërë ta cilësojnë Shqipërinë, vendin e vetëm ku nuk u rrit, por u ul papunësia” theksoi Berisha.Ndërkohë i pyetur në lidhje me kandidatët e PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit, kryeministri Berisha është i treguar i rezervuar për të dhënë emra ndërsa ka akuzuar liderin socialist se po përdor terror në Partinë Socialiste.“Sot, jo ju, por as edhe socialisti i fundit më i largët apo më i afërt, as edhe roja e selisë së Partisë Socialiste nuk ka parë të mblidhet një forum për të caktuar, siç është rendi dhe rregulli, qoftë edhe një kandidat. Unë nuk hyj tek emrat, sepse kjo nuk më përket mua. Nuk them se kryetari i Partisë Socialiste apo Partisë Demokratike dhe çdo partie tjetër nuk ka peshën e tij të padiskutueshme në emërimin e kandidaturave, por them se përdorimi i kandidaturave për terror partiak nuk është demokratik. Nuk po bëhet lista, por po zhbëhet lista aty. Ajo që po ndodh ёshtё se po zhbëhet lista. Unë jam kryetar, por kam disa gjëra të shkruara, sesi do t’i paraqes kandidaturat. Unë nuk them se nuk kam fjalën time dhe peshën e caktuar në përcaktimin e tyre, por, në qoftë se unë marr njërin, e shoqëroj dhe them Eureka, ndërsa tjerëve u them prisni sa të vijë Asambleja Kombëtare, këtë as ati shpirtëror i Edi Ramë nuk e kishte bërë ndonjëherë. Ky është terror. Ky është mekanizmi i zhbërjes së listës, por këto janë punët e tij” shtoi Berisha.I pyetur në lidhje me takimin e kryesocialistit Rama në Dibër, Berisha tha se ai u tregoi dibranëve përralla.“Për sa u përket përrallave, sepse nuk mund t'i quaj ndryshe ato që ai u tregoi dibranëve, harron dhe tregon që nuk ka njohuritë më elementare etnogrupore të këtij vendi. Një nga njerëzit më inteligjent që kam njohur në jetën time është një ministër i një qeverie të huaj, i shkolluar në një nga universitet më të mira të globit, i cili më ka thënë këto fjalë: “Për mua, Dibra ka qenë universiteti më i vërtetë”. Dhe u shkon ky dhe u flet si i foli, i ftohur në të gjitha anët. Le të shkojë prapë, por uroj që të lexojë pak më shumë, para se të shkojë sërish. Kishte marrë Canin dhe u thoshte se që në rrethin e Dibrës nuk është asfaltuar asnjë kilometër rrugë. Është një lloj sharlatanizmi politik, qesharak dhe kaq” tha kryeministri.Kryeministri Berisha iu rikthye edhe njëherë cështjes së Referendumit për 3 ligjet që do i hapnin rrugën për BE Shqipërisë. Duke sulmuar opozitën Berisha i dha afat PS-së deri më 23 qershor për të dhënë konsensusin, ose përndryshe shqiptarët do i japin përgjigjen më të mirë.“Pra shtylla e dytë kryesore do jetë reforma e thellë e tregut të punës. Ne kemi hedhur disa baza, në 4 vitet që vijnë do ndërtojmë ndërtesën e kësaj reforme që do e bëjë më të mbrojtur nga kriza ekonominë shqiptare. Shtylla e tretë më kryesore ku ne bazojmë punimin është integrimit në BE. Së pari statusit i vendit kandidat. 23 qershori po afron. Gjer me 23 qershori ne jemi të gatshëm të mbledhim parlamentin vetëm për të votuar ato 3 ligje. Por në rast se pala tjetër me një vullnet të sëmurë, vijon dhe insiston bllokimin e tyre ne në afatin më të parë ligjor do të thërrasim referendumin dhe unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarët do të zhbllokojnë dhe do i japin përgjigje më të mirë procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat”, shtoi Berisha.