T’u thuash “Yes” institucioneve ndërkombëtare!

Më mirë t’u thuash vetëm “Yes” institucioneve ndërkombëtare! Por nuk funksion më. Ndoshta nuk ka funksionuar asnjëherë, por sidomos nuk funksionon më tutje. Shkasin për këtë ma dha dje prononcimi i guximshëm i kryeministrit Berisha në një konferencë të Bankës së Shqipërisë lidhur me mungesën totale të ndihmës nga BE, FMN e Banka Botërore, pra nga institucionet financiare ndërkombëtare për vendet përreth krizës, ose më saktë për vatrat më të zjarrta të krizës ekonomike në eurozonë.Shqipëria dhe disa vende të tjera të rajonit, fortësisht të impaktuara nga kriza greke, italiane apo e jugut të Europës, nuk ka përfituar asnjë mbështetje të posaçme në funksion të kësaj krize, ndërkohë që Shqipëria është duke vuajtur përditë pasojat e plota të krizës së vendeve të eurozonës.Me një gjuhë realiste prej një partneri dinjitoz të bashkësisë perëndimore, Berisha në fakt ka prekur thelbin e një politike të padrejtë të këtyre institucioneve ndaj vendeve si Shqipëria apo kolegëve të tjerë të rajonit, të cilët duke u sajuar me fuqitë e tyre, kanë përballuar krizën europiane dhe globale, nuk i kanë nxjerrë asnjë problem Europës e Perëndimit madje… kanë shkuar edhe më tej, kanë vijuar të hapin lirisht tregjet e tyre kundrejt markave dhe mallrave perëndimore duke rrënuar totalisht prodhimin vendës, duke prishur strukturën e deritashme ekonomike dhe të prodhimit, e cila edhe pse arkaike të paktën prodhonte diçka, të paktën zinte disa njerëz me punë, të paktën gjallëronte qendrat e vogla ekonomike e sociale në mbarë vendin.Nëqoftëse Perëndimi i jep Greqisë afro 300 miliardë euro, në të shkuarën dhe në të tashmen, edhe pse ajo ka qenë një nxënës i keq e një kreditor mashtrues, si ka mundësi që Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit të lihen të papërgatitur për këtë krizë?! Nëqoftëse teknika e Perëndimit është të shuajë një zjarr apo të zgjidhë një problem aty ku krijohet, të mos krijosh probleme ose të mos i shfaqësh ato e t’i përballosh vetë ndoshta nuk është rruga e duhur?!Qeveria shqiptare dhe ato të rajonit janë në të drejtën e tyre për të pretenduar fort një paketë antikrizë, për shkak të pasojave tërësisht negative që janë krijuar në ekonomitë tona nga kriza e eurozonës, për shkak të marrëdhënieve të intensifikuara ekonomike ku Perëndimi na ka futur me insistim, që me hapjen e proceseve demokratizuese, duke përfituar prej nesh tregje, fuqi të lirë punëtore, privatizimin e burimeve thelbësore natyrore.Qeveria shqiptare dhe vendet e rajonit janë në të drejtën e tyre të trokasin fort dhe menjëherë në dyert e këtyre kancelarive për të marrë pjesën që u takon, në kompensim të një krize që as e prodhuan vetë e as nuk e zgjedhin ata vetë, përveçse e vuajnë plotësisht.Një paketë disamilardë euro për rajonin, në krahasim me disa qindra për Greqinë apo Europën Jugore, jo vetëm nuk është hataja për financat botërore por është gjëja e duhur dhe e drejtë sot. Ndaj, nëse deri tani ishte krijuar ideja se është më mirë t’i thuash “Yes” institucioneve financiare ndërkombëtare, diçka duhet të ndryshojë në këtë drejtim.Berisha e filloi dje një diskutim të fuqishëm, ndoshta me interes jo thjesht për Shqipërinë por dhe për vendet e rajonit. (Mapo)