Good News, Klinton në Tiranë
Një lajm i mirë. Shqipëria është në axhendën e turit europian të Sekretares së Shtetit për Çështjet e Jashtme të ShBA-së. Ajo vjen te ne për të na përshëndetur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe për të dhënë këshillën e vet prej miku, në lidhje me harmoninë dhe bashkëpunimin e munguar të palëve të politikës shqiptare sidhe me kritikën e saj, në lidhje me mbarëvajtjen e pamjaftueshme të Shtetit Ligjor në vendin tonë. Këto sa shkruaj, janë një përkthim apo përshtatje nga faqja zyrtare e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, pra përtej çdo keqkuptimi interpretativ të personalizuar, tipike kjo në mëhallën tonë politike.Jemi pra, me gjithë kusuret tona, një Vend i sigurt, ku Sekretaria e Shtetit vjen normalisht dhe ka të paracaktuar axhendën e saj. Një sukses për Shqipërinë. Ndonëse shumë kolegë të mi janë të mendimit se këto nuk mund të quhen më suksese, pasiqë nuk janë veçse rutinë. Rutinë të atij lloji, sa që nuk duhen zënë fare në gojë. Edhe mund të jesh dakord me këtë interpretim, porse, sa më i vogël dhe sa më i brishtë të jetë një shtet, aq edhe më e rëndësishme perceptohet një vizitë e tillë.Qoftë tashmë dhe rutinore.Familja Klinton është një familje mike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Ish-presidenti Klinton është një nga figurat më karizmatike që rizgjoi dhe vuri në fokusin e Zgjidhjes Çështjen shekullore të Kosovës. Një President pra, që në gjurmët e të madhit Woodroë Wilson në vitet ‘20, përmbushi kriterin e drejtësisë, të së Drejtës Ndërkombëtare të nëpërkëmbur të shqiptarëve. Dhe ku pa, në kërthizë të Europës.Sot që më e madhja është kryer, që shkojmë me një vrap pele deri në Prishtinë, me kufi pa viza dhe me kufi shqip-shqip, me policë kufiri të buzëqeshur dhe korrektë, duket sikur gjithmonë ka qenë kështu dhe se ndoshta gjithmonë do të jetë kështu. Klintonët e shndërruan këtë ‘utopi’ të dikurshme në një realitet pothuajse ‘banal’ të së përditshmes.Shumëkush mund ta harrojë këtë, porse ne gazetarët paguhemi, nderohemi apo përçmohemi në lidhje me aftësinë që kemi, apo nuk kemi, me kujtesën historike të fakteve që përcaktojnë aktet. Është pra rasti të kujtojmë rolin e Klintonit President dje, dhe Klintonit Sekretare Shteti sot, në përkrahje dhe mbështetje të përhershme të të Drejtave të Mëdha dhe shpesh të rrezikuara të vendit tonë të vogël.Dhe pra, në këtë këndvështrim, nuk ka sepse perceptohet si nënshtrim apo si ndërhyrje e tepruar kritika për shtetin ligjor problematik shqiptar, që zonja Klinton ka parashikuar të bëjë. As edhe këshilla miqësore për një kooperim më të mirë të krahëve dhe palëve të politikës shqiptare, gjithashtu në axhendën e shqetësimeve të saj politike.Sekretarja e Shtetit është funksionarja direkte që me Presidentin ideon dhe implementon, Politikën e Jashtme, e pra Gjeopolitikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria është pjesë e kësaj gjeopolitike. Pjesë dhe hallkë strategjike.Një hallkë strategjike për të cilën ShBA ka bërë madje një luftë. Një luftë të kushtueshme, të vërtetë dhe të drejtë. Çlirimtare dhe Humanitare. Një luftë në Europë mbas 50 viteve të Luftës së Madhe.Dhe ShBA nuk e ka pasur dhe as nuk e ka sindromën e çlirimtarit-pushtues, siç dhe komentohet mendjelehtësisht në qarqe mendjelehta, intelektualësh pa intelekt.Përpos kësaj, nëse ne jemi aleat luajal i tyre, është në interesin e ShBA-së, që aleati, në këtë rast, pra, ne shqiptarët, të jemi sa më shumë shtet dhe të kemi sa më shumë forcë. Forcë që buron nga shteti ligjor funksional. Forcë që buron nga zbatimi i fjalës së urtë: ‘bashkimi bën fuqinë’.Në optikën amerikane grindjet politike të shqiptarëve janë të pakuptimta kur degradojnë në nivele pasionale dhe radikale. Të pakuptimta dhe të dëmshme, për kohezionin substancial që një Shtet i vogël, që ka fituar sot një reliev gjeopolitik interesant dhe të rëndësishëm, duhet të ketë.Këto dy super tema, publikisht të para-deklaruara, do të jenë mesazhet e Washingtonit. Të përsëritura. Të rraskapitura. Të domosdoshme. Shpresojmë të mirëpritura. Në përmbajtje dhe jo në formë.ShBA dhe Sekretarja e Punëve të Jashtme, Klinton, nuk ka nevojë për kozmetikë formaliste.As për shampanjë, bonbone dhe kikirikë.Ata kanë nevojë për performancë të vërtetë dhe aleatë të vërtetë. (Mapo)