KS diskuton në 22 mars raportin për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë raportin më të ri për zhvillimet në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon më 22 mars, takim në të cilin Kosova dhe Serbia pritet të përfaqësohen në nivelin më të lartë të qeverive të tyre.Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitalij Churkin njoftoi gazetarët me agjendën e çështjeve që do t'i shqyrtojë Këshilli i Sigurimit gjatë muajit mars kur presidencën e radhës e ka vendi i tij rusia.Në takimin e 22 marsit në New York, Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa  ambasadori Churkin tha se në takimin e radhës kishte planifikuar të merrte pjesë edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç.Raporti më i ri i Sekretarit Ban Ki-Moon përfshin periudhën nga 16 tetori deri më 15 janar të zhvillimeve në Kosovë, ndërsa në te përshëndetet dialogu që po zhvillohet midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel si 'një progres i rëndësishëm'.Në raport thuhet se rivendosja e bisedimeve përbën një sinjal të fuqishëm se të dyja palët angazhohen në dialog paqësor për tejkalimin e peshës së konfliktit të kaluar'.Duke u përgjigjur në një pyetje rreth anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, ambasadori Churkin tha se Kosova ende nuk është njohur nga një numër vendesh nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë siç tha disa vende të rëndësishme në Këshillin e Sigurimit.