Clinton dhe Ashton të mërkurën në Kosovë
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit, Catherine Ashton, do të vizitojnë të mërkurën Kosovën ku do të inkurajojnë krerët e shtetit për nisjen e dialogut Kosovë-Serbi.Javën e ardhshme, Catherine Ashton, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor. Ajo do të jetë e pranishme në këtë rajon për një vizitë të përbashkët me sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton."Ndalesa e parë e vizitës së përbashkët do të jetë të martën, më 30 tetor, në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë. Ashton dhe Sekretarja Clinton do të takohen me Presidencën e BH-së, në mënyrë që të shprehin mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës së vetme, të bashkuar dhe sovrane. Ato do të nxisin po ashtu liderët që të adresojnë sfidat dhe reformat urgjente, përfshirë ekonominë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe sundimin e ligjit”, thuhet në kumtesë.Ndërkaq, të mërkurën, më 31 tetor Ashton dhe Clinton do ta vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën. Në Serbi do të takohen me presidentin Nikolic dhe kryeministrin Dacic, ndërsa në Kosovë me presidenten Jahjaga dhe kryeministrin Thaçi.“Ashton dhe Clinton do të shprehin mbështetjen e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve: dialogu i lehtësuar nga BE është në interes të të dyja palëve, qëllimi i tij është që të përmirësohet jetesa e njerëzve, të ndihmohet në zgjidhjen e problemeve dhe që Kosova dhe Serbia të sillen më afër BE-së” thuhet në deklaratë