Produkti nga Brukseli për veriun ekzekutiv, s’do hidhet për votim në Kuvend?

Nuk do të hidhet për miratim në Kuvendin e Kosovës çfarëdo zgjidhjeje për veriun e vendit të banuar me serbë, që do të mund të arrihet në procesin dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dakordimi në Bruksel nuk do ta ketë statusin e “marrëveshjes politike”.“Nuk do të quhet as marrëveshje. Do të jetë, thjesht, një komunikatë e baroneshës Ashton, që do të njoftojë për atë që palët dakordohen. Pra, nuk do të ketë nevojë të hidhet për miratim në Kuvend”, raportojnë mediat kosovare.“Do të ndiqet rrugë e njëjtë sikur me ‘konkluzionet’ që janë arritur në dialogun teknik. Ato nuk kanë fuqinë e marrëveshjeve ndërkombëtare, që do të impononte ratifikimin me dy të tretat e deputetëve”thuhet më tej në raportim.Por zyrtarë të lartë politikë druajnë se për t’u bërë e implementueshme, zgjidhja mund të kërkojë ndryshime ligjore ose edhe kushtetuese. Një e tillë e propozuar nga Serbia, që nënkupton krijimin e bashkësisë së komunave serbe, është kundërshtuar edhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, dhe nga opozitarët Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.Hajredin Kuçi, i cili ka qenë në raundin e fundit në Bruksel bashkë me kryeministrin Thaçi, deklaron se nuk do të ketë nevojë për ratifikim nga Kuvendi të marrëveshjes për veriun. Sipas tij me Serbinë do të ketë vetëm një marrëveshje në fund të procesit dialogues, dhe vetëm ajo do të kërkojë ratifikim.“Marrëveshja do të jetë në fund. Ajo do të jetë e nënshkruar”, ka thënë Kuçi. “Do të jetë marrëveshje për normalizimin e raporteve në mes të dy shteteve, në të cilin do të përfshihen marrëveshjet që janë miratuar deri tani dhe të tjerat që do të arrihen ndërkohohë”.