Ideja e Daçiç për veriun, Haziri: E papranueshme, do ishte një mini parlament
Ideja e kryeministrit serb, Ivica Daçiç për krijimin e bashkësive të komunave serbe në veri të Kosovës, për opozitën është e papranueshme ngase kjo do të krijonte organ që më pas do të krijonte një mini parlament.Në anën tjetër koalicioni qeverisës vlerëson që kompromiset e dhimbshme janë bërë në Vjenë, ndërsa konsideron se deri më tani në këtë dialog nuk është shkel as Kushtetuta e Kosovës dhe as Rezoluta e Kuvendit të Kosovës.Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se e drejta e bashkimit të komunave në një përfaqësim regjional, apo çfarëdo terminologje e përcaktuar, sipas një propozimi, është ide e vjetër e Serbisë e cila është munduar të shitet edhe në procesin e Vjenës.Për më tepër, ai kërkuar eliminimin e shtresës së mesme të pushtetit, për shkak se krijon premisa për autonomi politike territoriale brenda vendit.“Ne e kemi eliminuar tendencën e krijimit të shtesës së mesme të pushtetit që quhet regjion, departament, rajon, apo çfarëdo qofshin ato, sepse e rëndësishme është se çfarë kompetencash merr ai organ e jo me çfarë terminologjie thirret ai organ. Krijimi i shtresës së mesme të pushtetit, apo nivelit regjional, kantonal apo i departamentit, është thyerje e organizimit kushtetues të Kosovës, është organizimi i papranueshëm sepse krijon tendenca dhe premisa për autonomi politike territoriale dhe e drejta e vendimmarrjes bartet te një organ jokushtetues”, ka theksuar Haziri.