Bisedimet, mediat:Serbia ka pranuar shpërbërjen e strukturave paralele
Pas dy ditë bisedimesh në Bruksel, Serbia ka pranuar zhbërjen e strukturave të saj paralele, ndërsa për rregullimin politik të veriut, kryeministri serb Ivica Daciç ka kërkuar disa ditë kohë.Burime të gazetës “Express”, thonë se Ndërmjetësi ka propozuar krijimin e shoqatës së komunave veriore. Zgjidhja është e pranueshme edhe për Prishtinën dhe marrëveshja mund të arrihet në takimin e radhës.Në raundin e pestë të takimeve mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë është arritur parimisht marrëveshja për largimin e institucioneve paralele serbe nga veriu.Burime të “Express” kanë treguar se Hashim Thaçi e Ivica Daciç kanë folur edhe për rregullimin politik të pjesës më problematike të Kosovës, por ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për këtë pikë.“Për herë të parë edhe pala serbe e ka pranuar se funksionimi i institucioneve të Serbisë në Kosovë është në kundërshtim edhe me Rezolutën 1244”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në dialog.Sipas tij, BE ka propozuar planin për krijimin e një shoqate të komunave veriore, që pastaj do të integrohej në mekanizma evropianë për qeverisjen lokale dhe rajonale. I njëjti propozim është përkrahur edhe nga Prishtina.Sipas planit, komunave veriore u ofrohet anëtarësim në mekanizma specifikë evropianë që promovojnë bashkëpunimin komunal dhe rajonal e në të cilat kryesisht anëtarësohen shoqatat e komunave.Siç dihet një mekanizëm i tillë është Këshilli i Komunave dhe Rajoneve Evropiane, që është organizata më e madhe e qeverive lokale dhe rajonale në Evropë.Ky plan nuk është pranuar tërësisht nga kryeministri serb, Ivica Daçiç. “Beogradi ka kërkuar që komunat veriore të krijojnë bashkësinë e komunave serbe, në të cilat do të përfshiheshin dhe komunat tjera me shumicë serbe”, ka thënë një zyrtar ndërkombëtar.