Ndarja e re territoriale, Gjici: Favorizon abuzimet me ndihmën ekonomike

Teksa në Kukës janë hequr rreth 1500 familje nga skema e ndihmës ekonomike, pasi nuk e meritonin, prefekti paralajmëron vendorët të bëjnë kujdes. Faza tranzitore e ndarjes së re territoriale tha Gjici, mund të përdoret për të abuzuar me skemën e ndihmës ekonomike në Kukës.Ndarja e re territoriale favorizon abuzimet e vendorëve. Prefekti i Kukësit ka paralajmëruar që të bëhet kujdes me personat që futen në skemën e ndihmës ekonomike, pasi procesi tranzitor i ndarjes së re administrative, rrit mundësinë për abuzime.Prefekti i Kukësit, Safet Gjici: “ Në reformën e re territoriale, në këtë fazë tranzitore, një pjesë e drejtuesve të njësive vendore mund të mos jenë korrekt në zbatimin e detyrës, respektimit të ligjit, pritjes së popullit, sqarimit të tij etj. Edhe auditi i brendshëm i prefekturës në disa komuna, në kontrollet që ka bërë, ka gjetur dhe shkelje sa i përket skemës së ndihmës ekonomike.”Sipas shërbimit social Kukës, janë shtuar edhe rastet e masave ndëshkimore ndaj vetë administratorëve për shkelje të ligjit, kryesisht me familjet e përfshira në mënyrë abuzive në skemën e ndihmës ekonomike.Drejtori i SHSSH Kukës, Besart Mataj:  “Në dhjetor të 2014 janë trajtuar 10 785 familje, ku kemi vërejtje 10 raste, këshillime 22 raste, gjoba 8 raste, largime nga puna 2 raste”.Skema e ndihmës ekonomike për vitin 2013  ka shënuar më shumë se 12.500 familje, ndërkohë që gjatë vitit 2014 ky numër arriti në 10.781,  ndërsa u larguan nga kjo skemë 1737 familje, të përfshirë në mënyrë abuzive.