Mbi 180 të vdekur nga orteqet e dëborës në Afganistan
Më shumë se 180 persona kanë humbur jetën si pasojë e orteqeve në Afganistan, duke shënuar numrin më të lartë të vdekjeve në 30 vjet.Autoritetet vendase deklaruan se stuhitë e borës, orteqet dhe moti shumë i keq do të zgjasë deri në fundjavë, duke paralajmëruar një emergjence të afërt humanitare në zonat e goditura më rëndë. Rrugët janë bllokuar, insitucionet kanë mbyllur dyert dhe vendi është paralizuar."15 njerëz kanë vdekur këtu dhe 2 të tjerë janë plagosur. Po shkojmë në ceremoninë e varrimit të viktimave", thotë Mohammad Alam, banor i rrethit Khenj."Disa prej atyre që u vranë këtu janë familjarët e mi. Jemi mbledhur për ceremoninë e varrimit dhe për tu lutuar për ata" , thotë Abdul Hadi.Por pavarësisht tragjedisë, mjerimit dhe vështirësive që sjell, bora për Afganistanin është jetike. Shumica e popullsisë rurale varet nga bujqësia dhe për të ujituar të mbjellat e tyre , shpresojnë në shkrirjen e borës nga malet në stinën e pranverës dhe verës, pasi thatësira në Afganistan është e lartë kurse infrastruktura e ujitjes shumë e dobët.