Topi akuza Berishës: Sot ka diktatorë më të sofistikuar, PD mbahet peng

Në 24 vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, kreu i FRD, Bamir Topi ka hedhur akuza të ashpra në adresë të PD. Sipas ish-presidentit sot kemi në politikë diktatorë më të sofistikuar ku një njeri mban peng PD dhe nuk lejon zgjedhje zgjedhje demokratike në këtë parti. Sipas Topit edhe parlamentarizmi ka rënë kur një njeri e merr fjalën 20 herë.Bamir Topi : " Është për të ardhur keq që ende në politikën aktive, jemi shëmbëlltyra të drejtëpërdrejta madje më të sofistikuara, më të rafinuara, se sa ajo e diktatorit që sundoi Shqipërinë për gati 50 vjet. Madje i kemi dhe në parlament, në partitë politike, madje i kemi të veshur me një petk demokrat, njerëz që nuk lejojnë të zhvillohet normalisht një jetë politike. Njerëz që kanë imponuar kufizimin e hapësirave të demokracisë, dhe më thoni ku më shumë se kurrë dhe se ku, demokracia nuk manifestohet në zgjedhjet e lira e të ndershme në Shqipëri. Rritjet e interesave për bizneset familjare, dhe për t'i pasur të tjerët argatë në pronat e tyre, kjo është një gjëndje alarmante. Një herë në javë mblidhet parlamenti shqiptar, i cili në eksperiencën time të gjatë politike, është në kushtet e një ngërçi maksimal. As bën debat politik normal. Është një ngatërrestar atje që e merr fjalën 20 herë dhe nuk lë tjerët të flasin, një njeri që e ka bërë çorap, dhe vazhdon ta bëjë çorap".