Veliaj: Javën tjetër nis shqyrtimi i ligjit për hapjen e dosjeve të regjimit

Nga qyteti i Shkodrës, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka deklaruar se javën tjetër do të nisë shqyrtimi i ligjit për hapjen e dosjeve.Gjithashtu Veliaj tha se po ndiqet modeli Gjerman, si një nga modelet më të mira.“Më vjen mirë që e them këtu në Shkodër se javën tjetër fillon shqyrtimi i ligjit për hapjen e dosjeve në komisionet parlamentare. Ky është një ligj i bazuar mbi modelin e shkëlqyer gjerman dhe një nga gjërat që Gjermania e bën mirë është transparenca.Nuk ka sot asnjë evidencë, asnjë rast të vetëm që të provojë se kemi patur dhunë dhe hakmarrje. Ndaj të gjithë ata që thonë se nuk duhen hapur dosjet apo se do ketë gjakderdhje, në fakt e kanë mizën nën kësulë, janë të shqetësuar vetëm për veten e tyre dhe jo për ish të përndjekurit e vërtetë”.Ndërsa zv/kryeministri Niko Peleshi tha se Shkodra na frymëzon me frymën e saj antikomuniste. Ai tha se po vendosim në vend një padrejtësi që nuk u krye për 24 vite.“Kemi seriozitetin dhe vullnetin për t’i zgjidhur një herë e mirë këto çështje. Është koha të ndërtojmë një raport të ri me të shkuarën. Hapja e dosjeve është detyrim ndaj shoqërisë dhe bashkë me dëmshpërblimin ekonomik ato do t’i japin fund kalvarit të vuajtjeve të kësaj shtrese”.Ministri Veliaj shpërndau këstin e radhës për kategorinë e ish-të përndjekurve.