Korçë, fermerët shesin në rrugë, tregu i ndërtuar në vitin 2003 s'funksion
Me qindra fermerë të komunës së Pirgut në Korçë detyrohen të shesin përgjatë aksit nacional Korçë- Pogradec për shkak se qendra tregtare e ndërtuar prej vitit 2003 në këtë komunë nuk u vu asnjëherë në shërbim të tyre.Qendra tregtare e Pirgut u ndërtua në vitin 2003 nga nje fondacion suedez dhe ka kushtuar 300 mln lekë të vjetra. Ai u ndërtua për t'u shërbyer fermerëve që të shisnin produktet e tyre dhe do të funksiononte si një treg i përbashkët.Fermerët tregojnë abuzimet që janë bërë nga komuna dhe një banor i fshatit që zoteron një pjesë të tokës në këtë qendër tregtare.Fermer : “Ata dalin atje në mes të rrugës, ku mund të shtypen nga makinat. Në këtë treg nuk shesin njerëzit. Ata e kanë mbushur me qepë e patate, qira nuk paguajnë fare edhe lekë marrin. Një pjesë e merr komuna kurse ne që kemi tokën këtu nuk kemi marrë asnjë lek”.Sot në këtë qendër është hapur një autoshkollë dhe një biznes që shet farëra bujqësore.Fermer : “Shitën tokën, morën lekët, marrin dhe qiranë dhe ne u detyruam të shesim në rrugë. Ne e kemi nga halli për të nxjerrë disa lekë”.Mosfunksionimin e qendrës tregtare e pranon edhe kreu i komunës Pirg, Naum Mujo,i cili pohon ajo nuk ka qenë asnjëherë në dispozicion të fermerëve.Naum Mujo, kryetar i komunës : “Ky treg u ndërtua si treg për shitjen e produkteve bujqësore blegtorale të zonës sonë por që nga viti 2003 deri në vitin 2007 që unë mora pozitën e kryetarit të komunës, nuk u përdor për ato qëllime. Tregu sot i është lëshuar një firme private, i cili merret me shitjen e qepëve dhe patateve”.Duke mos u lënë alternativë tjetër, fermerët e Pirgut i tregtojnë produktet bujqësore në rrugë.