BQE vendos sot për kreditë emergjente për bankat greke
Banka Qendrore Evropiane pritet të vendosë sot nëse do të vazhdojë ose jo kreditë emergjente për bankat greke.Vendimi merret në një kohë kur Qeveria e Greqisë ka kërkuar nga parlamenti i saj që në mbledhjen e së premtes të votohet për braktisjen e programit të kursimit, ditën kur skadon edhe afati i vendosur nga eurozona për arritjen e një marrëveshje.Të hënën në mbrëmje, Greqia refuzoi planin për vazhdimin e ndihmës prej 240 miliardë eurosh nga kreditorët ndërkombëtarë. Qeveria e Greqisë ka thënë se kushtet e Eurogrupit janë "absurde" dhe "të papranueshme". Kryeministri Alexis Tsipras kërkon që ta zëvendësojë paketën e ndihmës me një kredi të re, e cila, do t'i jepte kohë për të gjetur zgjidhje të përhershme të krizës së borxheve. Por, vendet e Eurozonës kanë refuzuar këtë propozim.Ndërkohë mediat vendase raportuan se shtetit Helen pritet të kërkojë gjatë ditës së sotme një zgjatje me 6 muaj të marrëveshjes së borxhit. Por zyrtarët grekë kanë sqaruar se nuk bëhet fjalë për paktin aktual që përfundon në 28 shkurt dhe ky përfshihen edhe masat shtërnguese të refuzuara nga qeveria. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, në kohë, atëherë Greqia rrezikon të mbesë pa para.Eurozona i ka dhënë kohë qeverisë së Tsipras të vendosë deri të premten nëse do të shtyjë apo jo paktin aktual. Cdo marrëveshje e re duhet të miratohet edhe nga qeveritë e unionit dhe koha për gjetjen e gjuhës së përbashkët është në limite skadence.Kryeminsitri grek Alexis Tsipras tha se Greqia nuk do ti nënshtrohet shantazhit psikologjik. Nuk e kemi me nxitim dhe nuk do të bëjmë krompromis, tha ai para parlamentit, por ministri gjerman I Financave Volfgang Schaojbe tha se Greqia duhet të vendosë nëse do apo jo të zgjasë programin e ndihmës. "Asnjë prej kolegëve të mi nuk e ka kuptuar deri tani se cfarë kërkon Athina, as vetë grekët nuk e kanë të qartë," tha ai. Ndërkohë sipas bankës amerikane të investimeve JP Morgan gjatë fundjavës 2 miliardë euro depozita u tërhoqën nga bankat greke dhe nëse vijohet me këto ritme, atëherë brenda 14 javësh këto banka nuk do të kenë më para për ti përdorur si kolateral për borxhet e reja. Sipas llogarive të JP Morgan, depozitat aktuale greke arrijnë në 108 miliardë euro.