Samiti për Ukrainën, takimi në Minsk për një paqe të qëndrueshme

Sot pritet të zhvillohet takimi vendimtar për të siguruar paqen në Ukrainë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez Fransua Holond, do të takohen me presidentin rus, Vladimir Putin, në Minsk, për t'i propozuar marrëveshjen që do të ndërpresë luftimet e përgjakshme në lindje të vendit mes forcave qeveritare dhe rebelëve separatist.Samiti në kryeqytetin bjellorus pritet të përqëndrohet në arritjen e armëpushimit, tërheqjen e artilierisë së rëndë dhe krijimin e një zone të sigurtë të demilitarizuar.Axhendat e palëve në bisedime janë të ndryshme dhe frika është e madhe se as pas këtij takimi nuk do të ketë një marrëveshje konkrete.Ukraina kërkon:

  1. Rivendosjen e autoritetit të qeverisë qendrore në krahinat separatiste, por mund t'i garantojë më tepër të drejta vendore Donjeckut dhe Luhanskut
  2. Çarmatosjen e forcave rebele
  3. Tërheqjen e trupave ruse
  4. Shkëmbim reciprok të të burgosurve
Rebelët pro rusë kërkojnë:
  1. Ukraina të njohë Republikat Popullore të shpallura në Donjcek dhe Luhansk
  2. Jo çarmatim të forcave separatiste
  3. Aminsti për liderët separatistë
Rusia kërkon:
  1. Garanci ligjore për të drejtat e popullsisë rusisht-folëse në lindje të Ukrainës
  2. Autonomi të plotë të Donjeckut dhe Luhanskut duke krijuar sistem federativ
  3. Moskthimin e Krimesë në kontroll të Ukrainës
  4. Tërheqjen e trupave ukrainase nga zonat e  luftimit
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës.Siç njofton Shtëpia e Bardhë, Putini ka marrë edhe një telefonatë nga presidenti amerikan, Barak Obama, i cili mësohet ta ketë paralajmëruar që nëse nuk ndal veprimet agresive në Ukrainë do të ketë pasoja të rënda për të.Megjithatë, në lindje të Ukrainës luftimet vazhdojnë. Të mërkurën është shënuar viktima e parë e ditës, që në orët e para të mëngjesit, ndërsa të martën katër ushtarë dhe tetë civilë mbetën të vrarë nga një sulm me raketa që vinin nga zonat nën kontrollin e rebelëve.