Deputeti serb pro Mustafës për shkarkimin e Jabllanoviç

Deputeti serb Nenad Rasiç, ish-minister i Punës dhe çështjeve sociale dhe Kryetar i Partisë Demokracia Progresiste, ka mbështetur vendimin e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, për shkarkimin e ministrit serb Aleksander Jabllanoviç.Rasiç tha në emisionin ‘Balkan Magazine’ të gazetares Linda Karadaku, se deklarata dhe qëndrime si ato të zotit Jabllanoviç  dëmtojnë marrëdhëniet ndër-etnike në Kosovë dhe vënë në rrezik proçesin e kthimit të serbëve të zhvendosur pas luftës.Nenad Rasiç : “Unë kam qenë një prej të parëve që, pavarësisht se e përkrah ministrin serb, kam thënë që deklarata nuk ka qenë me vend dhe Jabllanoviç duhet ta tërheqë.Unë jam akuzuar rëndë që e kam thënë këtë, por mendimi im që në fillim ka qenë që më mirë një individ të largohet, të zëvendësohet, se sa të jetë me rrezik i gjithë proçesi i kthimit.  Prandaj besoj që, qoftë largimi qoftë dorëheqja janë me vend dhe shpresoj që kjo do të ndikojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe shqiptarëve. Këto marrëdhënie janë akoma të ndjeshme, dhe jemi ne politikanët që duhet të japim kontributin që ta qetësojmë situatën e të anullojmë tensionet”.