Fier, Panariti fermerëve: Kompensim të plotë për çdo bagëti të mbytur

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ka vizituar fshatrat Ferras dhe Bishan në rrethin e Fierit, të cilat kanë qenë zona të dëmtuara nga përmbytjet e ditëve të fundit.Fillimisht Panariti sëbashku me kryeministrin Edi Rama kanë qenë në Ferras, ku kanë ndjekur nga afër procesin e groposjes së bagëtive të ngordhura dhe dezinfektimit të këtyre zonave,i cili është zhvilluar nga organizimi i Drejtorisë së Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë.Më pas, Ministri Panariti ka qenë në fshatin Bishan, ku është takuar me barinj dhe fermerë të cilët kanë pësuar humbje të konsiderueshme në bagëti.Ministri Panariti tha se pas vlerësimit të ekspertëve do të mundësohet kompensimi i plotë për çdo bagëti të mbytur.“Është një fatkeqësi e madhe për humbjet e mëdha që patët. Ju keni të lidhur jetën me bagëtitë. Por ajo që është e rëndësishme është se ne jemi të vendosur t’ju kompensojmë për çdo humbje”, tha ai.Gjithashtu ai ka ndjekur nga afër procesin e shpërndarjes së ndihmave për bagëtitë e izoluara. Bizneset agro-ushqimore në vend janë solidarizuar me vështirësinë që po hasin fermerët në këto zona dhe për këtë arsye ata kanë vendosur të ndihmojnë me bazën ushqimore për bagëtitë e këtyre zonave.