Tsipras sulmon BE: Nuk marrim urdhra nga askush, ruajmë dinjitetin

Pas vendimit të Bankës Qendrore Europiane për të tkurrur financimet për Bankat greke të nivelit të dytë, kryeministri Aleksis Tsipras tha se vendi i tij nuk merrte urdhra nga askush dhe se ai kishte bërë një zotim përpara popullit të tij."Demokracia greke nuk merr urdhra dhe aq më tepër përmes email-it. Greqia ka një pozicion të qartë dhe ka zërin e saj. Jemi krenar që dinjiteti dhe demokracia janë rikthyer në vendin ku kanë lindur.Pas vetëm një jave në qeveri kemi arritur të ndryshojmë axhendën e diskutimeve në Europë. Arritëm ta bëjmë Greqinë dhe propozimet e Qeverisë greke temë debatesh në të gjithë botën.E kemi për detyrë që të mos lejojmë që qytetarët grekë të mashtrohen sërish. Jemi vend sovran, jo një partner qesharak që dëgjon mësimin dhe bën detyrat e shtëpisë. Masat shtrënguese nuk janë rregull në Bashkimin Europian dhe nuk janë parim themeltar i Bashkimit Europian".Edhe më i ashpër është treguar krahu i djathtë i Tsiprasit, Janis Varufakis, pas takimit me Ministrin gjerman të ekonomisë, Zigmund Gabriel."Mesazhi im ndaj taksapaguesit dhe punëtorit të zellshëm gjerman është që ju na keni dhënë shumë më tepër para se sa duhej në pesë vitet e fundit, jo shumë më pak. Fatkeqësisht ky nuk ishte një veprim solidariteti, edhe pse popullit grek i është shitur si i tillë.90% e atyre parave nuk mbërritën kurrë në Greqi, por bënë një xhiro cinike nëpër Banka. Të gjithë e dinin se krahët e grekëve nuk ishin aq të fortë sa për të mbajtur këtë peshë dhe që ajo do të binte mbi ju".Në Athinë, pas vendimit të Bankës Qendrore Europiane për të mos pranuar më bono thesari si kolateral për hua ndaj Bankave të nvielit të dytë, aksionet e tyre ranë me mbi 16%, ndërsa bursa humbi më shumë se 6 pikë. Pasoja pati edhe në tregjet spanjolle dhe italiane, të cilat humbën nga një pikë të enjten.Sipas deklaratës të lëshuar nga Banka Qendrore Europiane vetëm një ditë pas takimit të Presidentit të saj, Mario Dragi me Varufakis, vendimi u mor pasi nuk kishte asnjë siguri që mes Greqisë dhe Trojkës do të arrihej një marrëveshje e re për rinegocimin e borxhit 240 miliard eurosh të vitit 2012.