Qeveria e Kosovës "dhuratë" qytetarëve, u fal borxhet që nga 2008

Kosova mund të anullojë borxhet e këqija të mbledhura nga qytetarët e vet deri në vitin 2008, në një përpjekje për të ndaluar emigrimin masiv të banorëve drejt Europës Perëndimore.Në mbledhjen e së enjtes, Qeveria miratoi vendimin për ngritjen e Komisionit që do të shqyrtojë mundësinë për faljen e borxheve, një lëvizje kjo e ngjashme me atë të kryer nga Kroacia vetëm pak ditë më parë.Kryeministri, Isa Mustafa, mendon se vendimi do të stimulojë më shumë zhvillimin ekonomik. Në listën e borxheve të falura mendohet të jenë taksat e papaguara, taksat doganore dhe faturat e energjisë elektrike dhe ujit."Është një stimulim për zhvillimin ekonomik sepse do të kemi më shumë mjete në qarkullim edhe do të rrisim kërkesën agregate për shumën e mjeteve të cilat nuk shkojnë në këtë pjesë dhe po ashtu do ti ndihmonte kompanive publike dhe qeverisë që mos të merren me çështjen e të kaluarës mos të mbajnë bilance fiktive por ti pastrojnë bilancet financiare dhe të fillojmë një etapë e cila do të jetë reale në kërkimin e arkëtimit të borxheve", ka thënë Mustafa.Vetëm dy muaj pasi mori detyrën, Qeveria e re është vënë nën presion nga shoqëria civile, me protestat më të dhunshme që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.Ndërkohë, një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh largohen drejt vendeve të Bashkimit Europian, përmes Serbisë e Hungarisë.Sipas qeverisë së Kosovës, si vit pikënisjeje është zgjedhur 2008-ta, pikërisht për faktin se në atë vit Kosova shpalli pavarësinë ndaj Serbisë.Qeveria nuk specifikoi sa do të kushtonte falja e borxheve, por ky veprim mund të sjellë reagimin negativ nga vendet e Bashkimit Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.Që prej shtatorit të vitit të kaluar, më shumë se 300 000 shtetas janë ndaluar nga autoritetet hungareze dhe kanë aplikuar menjëherë për azil, pjesa më e madhe për të përfituar nga mundësia që të bashkohen me të afërm apo të njohur në Gjermani, Zvicër, dhe vende të tjera të zhvilluara.Përveç nismës së qeverisë, edhe parlamenti i Kosovës miratoi të enjten një rezolutë për pengimit e migrimit ilegal të qytetarëve.