Korea e Veriut akuza SHBA-së: Sjellje gangstere dhe imperialiste
Në kohën kur sjellja gangstere e imperialistëve të Shteteve të Bashkuara kërcënon me rrëzimin e regjimit popullor, ushtrisë dhe popullit të Koresë së Veriut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të njoftojë administratën e Obamës se nuk ka nevojë as dëshirë për të vazhduar negociatat". Kështu ka deklaruar Komisioni Kombëtar i Mbrojtjes së Koresë së Veriut, i cili drejtohet nga udhëheqësi Kim Jong Un në lidhje me programin e vet bërthamor . Përpos rezufimit të negociatave me SHBA, Koreja e Veriut akuzon Uashingtonin se po komploton për të rrëzuar regjimin popullor. Në deklaratë, Republika Popullore e Koresë kërcënon Shtetet e Bashkuara 'se do t'i shkruajë faqen e fundit të historisë së ekzistencës'."Sulme me armë bërthamore, me trupa tokësore, detare dhe nëndetare, nga ajri dhe lufta kibernetike do të përdoren për të shkruar faqen e fundit të historisë së Shteteve të Bashkuara", thuhet në deklaratën e Penianit. Kjo deklaratë e Penianit vjen pas asaj të presidentit amerikan Barak Obama më 22 janar, ku tha se nuk është e largët koha kur interneti të hyjë në Korenë e Veriut dhe njerëzit të dalin nga izolimi dhe regjimi i Kim Jong Un të bjerë. Por mendohet se deklarata të tilla Peniani i lëshon edhe për të rritur presionin në prag të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të cilat zakonsiht mbahen në muajin mars.