Rreziku nga rezervuari i Maskurisë, Tahiri: Hetim të plotë ndërhyrjeve
Ministri i Transporteve Haxhinasto, ai i Brendshëm Tahiri dhe Prefekti i Tiranës Vorpsi kanë inspektuar në mesditë rezervuarin e Maskurisë, në Komunën Golem të Kavajës, cili gjatë të mërkurës pësoi një çarje.Sipas Haxhinastos rreziku vijon të mbetet i lartë nëse reshjet vazhdojnë, ndërsa shprehi shqetësimin në lidhje me punimet dhe ndryshimet që janë bërë në projektin e rezervuarit.“ Problemi këtu ka të bëjë me një rrjedhje që është evidentuar në digë. Tashmë janë vënë në funksion një numër motopompash që gjithsesi duhen fuqizuar me qëllim që ulja e nivelit të ujit të bëhet me ritme më të shpejta për të qenë në garanci të plotë se këtu nuk mund të ketë përkeqësim të situatës në raste të reshjeve të reja”.Sipas Ministrit Saimir Tahiri parësore mbetet shmangia e përmbytjeve, ndërsa shtoi se do të ketë një hetim të plotë për ndërhyrjet e bëra në rezervuarin e Maskurisë.“Për ne prioriteti absolut është të shpëtojmë jetët e njerëzve, ndaj kanë filluar që dje të gjitha autoritetet shtetërore nën drejtimin e Prefektit të Tiranës dhe Shtabit të Emergjencës për njoftimin e banorëve në zonë lidhur me rrezikun potencial që ekziston për këtë situatë, e para, dhe e dyta duhet ta shfrytëzoj këtë rast për t'u kërkuar mirëkuptim banorëve që së bashku me autoritetet të përballemi me pasojat eventuale që mund të vijnë në rast se ndodhin dëme shumë më të mëdha se këto që janë, qoftë duke pranuar evakuimin, qoftë duke mos u kthyer në zonat që kanë problem ose risk potencial për probleme të mëdha.Shumë shpejt policia do të nisi hetim lidhur me dëme që mund t'i kenë ndodhur kësaj strukture për efekt të ndërhyrjeve të gabuara. Hetimi do të përfshijë si projektimin ashtu edhe implementimin e projektit”.E megjithë mbështetjen e autoriteteve shtetërore banorët e zonës vijojnë ti tremben më të keqes.