ISIS ndërron taktikë ekzekutimi, djeg të gjallë pilotin jordanez
Jo prerje koke por djegie për së gjalli. Ky ka qenë fati që i kanë rezervuar militantët e Shtetit Islamik pilotit jordanez të marrë peng.Duket si traileri i një filmi hollivudian, por në fakt është rruga drejt vdekjes e pilotit jordanez të kapur peng nga militantët e Shtetit Islamik në dhjetor.Ndryshe nga pengjet e tjerë, të cilëve u është prerë koka, Moaz al-Kasabeh është djegur i gjallë brenda një kafazi, të paktën kështu duket nga pamjet e lëshuara në rrjetet sociale nga vetë militantët ekstremistë.Edhe pse video ende nuk është verifikuar, familjarët kanë pranuar për mediat se janë informuar nga forcat e armatosura jordaneze se piloti ishte vrarë. Ndërsa televizioni shtetëror i Jordanisë ka konfirmuar se vrasja ka ndodhur një muaj më parë.Në videon që zgjat 22 minuta, piloti prezantohet e më pas ecën i rrethuar nga ushtarët e armatosur të Shtetit Islamik drejt kafazit të vdekjes.Për pamjet makabre ka reaguar edhe Presidenti amerikan, Barak Obama, i cili ka thënë se kjo është një tjetër shenjë e barbarizmave të kësaj organizate."Mendoj se ky veprim do ta dyfishojë vigjilencën dhe vendosmërinë e koalicionit global për ta shkatërruar ISIS. Ideologjia e tyre është e falimentuar".Piloti jordanez prej disa javësh ishte përfshirë në bisedimet për lirimin e dy pengjeve japonezë, të cilët gjithashtu u ekzekutuan nga ekstremistët me prerje koke.