Ligji për pushtetin vendor, Bylykbashi: Kryekomunarët zëvendësohen me “Komisarë”

Shkrirja e Komunave ka eleminuar në një farë mase një problem siç ishte ai financiar, por duket se nxjerr në pah një problem tjetër, atë të emërimeve politike në vend të komunarve të zgjedhur me votë. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi , tha se nga kjo mënyrë organizmi të humbur janë qytetarët, pasi rritet mundësia e abuzimit në këmbim të shërbimeve. Oerd Bylykbashi: “ Nuk ka më njerëz që do të përgjigjen me votë përpara qytetarëve në Komunat që do të mbeten periferike. Do të ketë vetëm komisarë të dërguar atje, të cilët do ti japin shërbimin pasi ti kenë kërkuar atje preferenca edhe seksuale” Bashkim Fino: “Ju na treguat se do të bëhen zgjedhje. Nëse një kryetar Bashkie nesër do të jetë i PD-së të njëjtën kompetencë do të ketë si ai kryetar Bashkie i PS-së. Që do të thotë që edhe ai kryetar Bashkie i PD-së do ti emërojë këta administratorët në njësitë përkatëse. Po pse këta të PD kur ti emërojnë janë më të mirë dhe këta të PS-së kur ti emërojnë nuk janë më të mirë?” Kjo çështje ka qënë pikë e fortë e debatit në Komisionin e Ligjeve ku u diskutuan ndryshimet për ligjin e funksionimit të pushtetit vendor. Sipas demokratëve ndërhyrjet nuk sjellin asnjë përmirësim për pushtetin vendor, përveçse shkojnë në favor të ndarjes territoriale, që për ta vazhdon të mbetet e pa pranueshme. Oerd Bylykbashi: “ Zoti.Çuçi ua përsëris që ajo hartë që keni bërë nuk ta pranon njeri”. Eduard Halimi: “ A e zgjidh ky ligj problemin e arbitraritetit të Kryeministrit për bllokimin e lejeve të ndërtimit sa herë Kryeministrit i shkon në mendje dhe për inat të kryetarëve të Komunave në mënyrë selektive bllokon dhënien e lejeve të ndërtimit?” Bledi Çuçi: “ Nuk ka një abuzim në bllokimin apo dhënien e lejeve të ndërtimit në gjykimin tim dhe për çdo çështje që mund të jetë ligjore opozita i ka të gjitha mjetet, ashtu siç i ka përdorur për të vërtetuar nëse këto janë veprime abuzive apo jo”. Pas rreth dy orësh diskutime, me kërkesë të demokratëve por dhe me sygjerim të deputetit socialist Bashkim Fino, palët politike ranë dakort që të thirren dhe një herë grupet e interesit dhe ekspertët, për të diskutuar këto ndryshime dhe për tu gjetur konsensusi, për këtë ligj që kërkon shumicë votash në parlament. Ndryshimet thelbësore në ligjin për funksionimin e pushetit vendor të prezantura nga Ministri Bledi Cuçi, synojnë heqjen e termit Komunë dhe kryetar komune si dhe përcakton administratorët që do të drejtojnë zyrat të cilat ofrojnë të njëjtat sherbime si Komunat e shkrira në kuadër të hartës së re territoriale.