Prokuroria: Laboratori kriminalistik “pengoi” hetimet e serverit të Tatimeve dhe përgjimet e SHIU-t
Prokuroria dhe policia janë përplasur në tryezën e organizuar nga OSBE për rritjen e kapaciteteve të policisë shkencore.Kreu i task-forcës në Prokurorinë e Përgjithshme, Kostaq Beluri, ka kritikuar ashpër policinë, e konkretisht laboratorin shkencor, se nuk i përgjigjet situatës së hetimeve që kryen organi i akuzës, madje në mjaft raste ka bërë që shumë çështje të pushohen, si ajo e dosjes së serverit të tatimeve apo edhe përgjimet e bëra nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë.Kostaq Beluri: “Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime për atë që konsiderohet “serveri i Tatimeve”, ku ka dyshime se është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në të dhënat tatimore. Hetimi për këtë rast është bllokuar, për faktin se, për shkak të mungesës së teknologjisë dhe kapaciteteve, Policia Shkencore fillimisht nuk arriti të konkludonte mbi faktin nëse ka pasur ose jo ndërhyrje.Në vijim, prokuroria është në pritje të disa përgjigjeve të tjera për rastin, të cilat prej disa muajsh nuk kanë mbërritur.Po ashtu, një tjetër rast me specifikë të ngjashme, është hetimi mbi atë që konsiderohet pajisja e përgjimit në Ministrinë e Mbrojtjes.Edhe në këtë rast, nga ana e Policisë Shkencore nuk është arritur të konkludohet nëse ka pasur ose jo përgjime të paligjshme nga strukturat e kësaj ministrie. Sërish, argumenti ka qenë i njëjtë; mungesa e pajisjeve teknologjike për të përpunuar informacionin e vlefshëm për hetimin”.Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka ardhur momenti që të shihet një mundësi financimi për këtë laborator dhe në vend që të kritikohet institucioni ka nevojë për më shumë mbështetje.Artan Didi: “ Në një këndvështrim të ngushtë pastaj mbetet përgjegjësia e moszbulimit të një vepre penale te ky laborator apo tek specialistët dhe të gjithë pastaj lajnë duart. Por sesa e kanë ndihmuar këtë laborator, se çfarë kapacitetesh ka ky asnjeri nuk shikon dhe asnjeri nuk e vret mendjen apo nuk interesohet dhe të ngrejë zërin pastaj që kjo njësi kaq e domosdoshme dhe kaq e vlefshme të mos jetë në gjendje që të përballojë këtë fluks të madh apo intensitet të madh të luftës kundër krimit të organizuar”Për zëvendës.Ambasadorin e OSBE-së Robert Wilton, laboratoret shkencorë kanë në dorë një hetim të rëndësishëm siç është dosja "Lazarati", pasi sipas tij policia bëri një operacion të suksesshëm.