PD akuza qeverisë: Po hakmerret për protestën e çmimit të naftës

Partia Demokratike, ka denoncuar Policinë e Shtetit, se me porosi të Kryeministrit, ka ndërmarrë një ofensivë gjobash për drejtuesit e mjeteve që protestuan të hënën. Këto akuza janë cilësuar mashtrim nga Ministria e Brendshme, duke sqaruar se Shërbimet e Policisë Rrugore kanë identifikuar të paktën 330 automjete të cilat shkelën nenin 20 të Kodit Rrugor, por për asnjë prej tyre nuk është marrë masë administrative. Ndërkohë, sqarohet më tej që sipas verifikimeve, rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar edhe si mjete debitore.Tirane- Protesta e 26 janarit e thirrur nga Partia Demokratike kundër çmimit të lartë të naftës ka përplasur këtë të fundit me Ministrinë e Brendshme. Fillimisht përmes zëdhënëses Ornela Nebijaj, selia blu akuzoi qeverinë se po hakmerret ndaj drejtuesve të mjeteve që u bënë pjesë e protestës.Sipas saj, MB me urdhër të Kryeministrit ka nisur një fushatë ndëshkimi me gjoba për ata që fikën makinat në rrugë.“Edi Rama ka nisur hakmarrjen duke e urdhëruar policinë e shtetit në një ofensivë gjobash e ndëshkimesh për drejtuesit e mjeteve që ndaluan të hënën për 5 minuta makinat.Megjithëse Policia e Shtetit ishte vënë në dijeni për këtë protestë, ajo ka marrë urdhër të gjurmojë makinat e targat, dhe të ndëshkojë qytetarët që u ngritën kundër taksave të larta të Edi Ramës. Ky është reagimi i një oligarku që sundon mbi qytetarët dhe që refuzon të dëgjojë zërin e tyre.Shqiptarët gjetën një mundësi për të shprehur edhe një herë shqetësimin dhe kërkesën e tyre për uljen e cmimit të naftës, duke refuzuar për 5 minuta tarifat e qeverisë.Këto janë shenjat e një regjimi që ka humbur legjitimitetin, që kërkon të nënshtrojë me forcë qytetarët e vendit. Të tillë regjim, e ka vuajtur ky vend për shumë vite. Manovra dhe gjeste policore si këto bënte regjimi i vjetër në agoninë e tij.Qytetarët e vendit do të ngrihen edhe më të shumtë, edhe më të bashkuar.Ky regjim oligarkësh që varfëron popullin, krijon papunësi e padrejtësi do të ndalet. Partia Demokratike do të jetë në krye të protestave, që nuk do të ndalen, derisa e keqja të shkulet me rrënjë”.Akuzat janë përforcuar më tej nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. Duke i konsideruar gjobat politike dhe të paligjshme, Ristani i bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të mos paguajnë, ndërsa policisë të tërhiqet nga ky aksion partiak.“Gjobat politike, te urdheruara nga Edi Rama, ndaj protestuesve per cmimin e larte te naftes, per shkak te taksave te qeverise, jane te paligjshme. Drejtorite e policise se cdo qarku, jane njoftuar per protesten, sipas ligjit ne fuqi. Keto gjoba jane thjesht ndeshkim i hakmarresit Rama, qe refuzon te degjoje qytetaret e vendit.Ne u bejme thirrje drejtuesve te mjeteve te mos paguajne gjobat politike te Edi Rames dhe i kerkojme policise se shtetit te terhiqet nga ky aksion partiak dhe i paligjshem.Me dhunen e pushtetit vetem do shkurtojne ditet e tyre sepse revolta popullore eshte ortek qe nuk mund te ndalet”.MPB: Asnje gjobe per mjetet qe bllokuan rrugen ne 26 janarI menjëhershëm ka qenë reagimi nga ana e Ministrisë së Brendshme, duke i cilësuar shpifje deklaratat e dala nga selia blu.MB sqaron se edhe pse 330 automjete shkelën nenin 20 të kodit rrugor me 26 janar, nuk është ndërmarrë asnë gjobë ndaj tyre.“Duke vlerësuar si shpifje të rradhës, deklaratat e Partisë Demokratike, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se:Në të gjithë territorin e vendit në datë 26.01.2015, Shërbimet e Policisë Rrugore morën masa për të menaxhuar trafikun e rënduar dhe nuk kanë vendosur asnjë masë administrative me gjobë për mjetet, megjithëse ato ndaluan në kundravajtje duke bllokuar trafikun dhe sollën shqetësim dhe vonesë për përdoruesit e tjerë të rrugës.Shërbimet e Policisë Rrugore kanë identifikuar të paktën 330 automjete që ndaluan duke bllokuar trafikun, kryesisht autovetura, të cilat shkelën nenin 20 të Kodit Rrugor që parashikon: “Cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që, duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë”, por për asnjë prej tyre nuk është marrë masë”.Por stacionimi për 5 minuta nën hundën e policëve të rrugores, duket se i ka nxitur këta të fundit ti kalojë nën sitë drejtuesit e mjeteve.Dhe nga verifikimet, sipas MB ka rezultuar se rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar si debitore, me gjoba të papaguara.“Ndërkohë që sipas verifikimeve, rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar edhe si mjete debitore, duke pasur minimumi të paktën dy gjoba të papaguara dhe maksimumi 19 gjoba, ose ishin mjete pa kontratë sigurimi të detyrueshëm. Policia e Shtetit është e vendosur në çdo rast të godasë paligjshmërinë, e çdo forme qoftë, e për këtë arsye fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë në luftën e përbashkët kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit duke garantuar një Shqipëri më të sigurtë, ku ligji është i barabartë për të gjithë pa dallim”.