Rama me investitorët, premton model ekonomik por jo ulje taksash
Qeveria premton se do të dëgjojë më shumë biznesin sa herë të hartojë politika fiskale por nuk premton ulje taksash. Në takimin me Shoqatën e Investitorëve të Huaj, kryeministri Rama premtoi një model të ri ekonomik që do të diskutohet fillimisht me biznesin, duke i drejtuar një apel investitorëve të huaj të mos hezitojnë të investojnë në Shqipëri. “ Fjala kyçe është të flasim, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë”.Ka zgjedhur t’i drejtohet kështu kryeministri Rama Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri. Në një kohë kur ekspertët deklarojnë se investimet e huaja janë tkurrur për shkak të taksave, kreu i qeverisë shqiptare lajmëroi mbledhjen e Këshillit të parë të Investimeve që do jetë një thirje për investuesit që gjithësesi nuk do ketë lehtësira fiskale. “ Viti i kaluar ne na dha një mësim mjaft me rëndësi, mes të shumtëve që morëm. Me qëllim që politikat të jenë efektive, sidomos ato që lehtësojnë dhe i japin mbështetje sektorit ekonomik, na duhet që të hartojmë paketa dhe politika që bazohen në sugjerimet tuaja. Për t'u siguruar që nuk më keni keqkuptuar, përmirësimin i rregullave për mua dhe për ne nënkupton më shumë reduktim rregullash dhe përmirësimi i infrastrukturës tatimore moderne nuk do të thotë që të vendosim apo të rrisim më tej taksat, por që të sigurohemi që infrastruktura të ofrojë gjithnjë e më tepër barazi mes të gjithë tatimpaguesve dhe gjithnjë e më pak informalitet”.Duke folur për një model të ri ekonomik Rama garantoi se themelet do të hidhen në bashkëpunim me botën e biznesit.“E kemi thënë, dhe unë vetë e kam thënë këtu, se mund të tejkalojmë një trashëgimi të rrezikshme ekonomike dhe të hedhim bazat e një modeli të ri ekonomik, vetëm në bashkëpunim me botën e biznesit dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, shumë prej të cilëve përfaqësohen edhe në këtë shoqatë.”Si prova të përmirësimit të klimës së biznesit kreu i qeverisë përmendi hartimin e dy projektligjeve, njëri për investimet, tjetri për turizmin. Në raportin vjetor për Indeksin e Lirisë Ekonomike në botë, Shqipëria ka pësuar rënie në krahasim me një vit më parë duke paraqitur si problem korupsionin dhe çështjen e pronave.