Mustafa: Trepça nuk mbrohet nga ata që e vandalizojnë Prishtinën
Prishtinë- Një ditë pas protestës së dhunshme në Kosovë, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Isa Mustafa shprehu edhe një herë keqardhjen për dhunën dhe theksoi se qëllimet e Vetëvendosjes nuk kishin aspak lidhje me deklaratat e minsitrit serb, Aleksandër Jabllanoviç, apo mirëqenien e minatorëve të Trepçës.Mustafa: "Protesta kishte kryekëput qëllime politike. Policia e Kosovës e ka mbështetjen e plotë qeveritare për të mbrojtur pronën publike nga partitë politike. Shkaktari kryesor i eskalimit të protestës së djeshme ishte ultimatumi i dhënë për heqjen e kordonit policor Qytetarët u thirren për të protestuar për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri i cili kërkoi falje dhe të cilin nuk e pranuam. Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë, ajo është mbrojtur me ligj që pamundëson privatizimin e saj".Edhe në mbledhjen e të mërkurës, 28 janar 2015, Mustafa nuk dha asnjë sinjal për një shkarkim të mundshëm të Jabllanoviçit.Bilanci i protestës së të martës, 27 janar 2015 ishte i ngjashëm me një ditë në zonat e nxehta të luftimeve: 72 oficerë të plagosur dhe 170 civilë të dërguar ë urgjencën e Qendrës Spitalore të Prishtinës për mjekim.Dy prej oficereve të plagosur janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkohë numri i të arrestuarve është rreth 160. Në përleshje ra në sy mospërfshirja e forcave paqeruajtëse të NATO-s apo të qindra oficerëve të Bashkimit Europian që janë vendosur në KosovëNdërkohë që qeveria Mustafa akuzohet pikërisht se i është dorëzuar presionit serb për Trepçën, duke çuar për rishikim ligjin për shtetëzimin e saj, drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, deklaroi se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga lufta për kompleksin e pasur minerar.Ai tha se më 9 shkurt, në Bruksel, do të bisedohet për krijimin Asociacionit serb të Komunave si dhe për Trepçën, edhe pse kjo është konsideruar e panevojshme nga faktori ndërkombëtar.Gjithashtu ai la të kuptohej se mund të merreshin masa ndaj vetë Jabllanoviçit, edhe pse ky është ministër në qeverinë e Kosovës."Nëse anëtarët serbë të Qeverisë së Kosovës nuk japin rezultate të këtë segment, ndoshta edhe dikush nga Beogradi do të kërkojë përgjegjësi", ka theksuar Gjuriç.