Gazsjellësi TAP, përfitimet që do të sjellë në qarkun e Beratit
Marrëveshja mes tre vendeve për gazsjellësin TAP, Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, është një mundësi shumë e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe pse kompania “Shah Deniz”, nuk ka përcaktuar ende fituesit, TAP ka shanset më të mëdha për të fituar ndaj rivalit Nabuco. Nëse gazsjellësi bëhet realitet, ai do të kalojë në qarkun e Beratit. Drejtori i Koordinimit dhe Zbatimit të Strategjive, Bledar Blana, pranë këshillit të qarkut, tregoi se cilat janë zonat të cilat preken nga ky projekt.Pronarët e tokave do të kompensohen për humbjet dhe dëmet e pësuara gjatë ndërtimit të gazsjellësit. Pronësia mbi tokën, përgjatë gjurmës së gazsjellësit nuk do të ndryshojë, megjithatë toka do të jetë objekt i servituteve, të cilat kufizojnë disa përdorime të veçanta nga pronarët e tokave. Gjatë muajve Nëntor - Dhjetor 2012, TAP përfundoi me sukses 38 takime me këshillat e njësive të qeverisjes vendore që ndikohen nga projekti, duke marrë mendimin e tyre pozitiv mbi këtë projekt.