Parid Cara prurja më e re në PS, Rama: Shembulli që i nevojitet politikës

Një tjeter prurje e re i është shtuar skuadres per nje Rilindje Shqiptare të Partisë Socialiste, por kësaj radhe nga bota e biznesit. Parid Cara nga qyteti i Kavajës, emigrant në Itali është anëtari më i ri i PS, e që kontributin e tij do ta japë pikërisht në vendin e tij të lindjes, Kavajën. Gjatë prezantimit të tij në selinë rozë, kreu i PS-së Edi Rama e vlerësoi Carën, si shembullin më të mirë për të cilin ka nevojë jo vetëm opozita, por mbarë politika shqiptare.“Sot dua t’i uroj mirëseardhjen një tjetër anëtari të ri të skuadrës sonë kombëtare për një Rilindje Shqiptare, Parid Carës. Paridi do të jetë pjesë e ekipit fitues të Tiranës në parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit.  Ai është një histori suksesi tipike shqiptare. Një nga mijëra historitë e nisura në rrugën e mundimshme të emigracionit. Paridi është një nga ata djem dhe vajza që në qytetin e Kavajës u dhanë me mish e me shpirt, për vite me radhë, pas idealit të një demokracie që në Kavajë u kthye në karikaturën më zhgënjyese të viteve të tranzicionit. Madje fyese për shpirtin demokrat të kavajasve. Të cilët u nëpërkëmbën gjatë në besimin e tyre tek një forcë politike që në Kavajë dhe më pas në Shqipërinë e viteve të fundit, u bë shëmbëlltyra brutale e injorancës në pushtet. E kam njohur Paridin si një sipërmarrës të suksesshëm në emigracion, në Italinë fqinje. Ftesës sime për të qenë jo vetëm mbështetës po edhe protagonist, duke u përfshirë në skuadrën tonë kombëtare të Rilindjes, Paridi i’u përgjigj pas një kohe reflektimi. Shtysa vendimtare për të thënë po ishte nevoja e çdo emigranti për të pasur për veten, familjen, fëmijët, një atdhe të rilindur këtu në Shqipëri, një shtet dinjitoz që i përfaqëson dhe i mbron me dinjitet dhe emigrantët shqiptarë kudo ku janë, një Shqipëri normale ku kush dëshiron të kthehet për të jetuar dhe punuar ta ketë mundësinë e tij njësoj siç e ka aty ku ka sot ka punën por nuk ka atdheun. Jam i bindur se Parid Cara do të jetë një vlerë e madhe e shtuar për skuadrën tonë kombëtare të Rilindjes dhe ne do të fitojmë në 23 qershor në gjithë zonën zgjedhore të Kavajës edhe më thellë se ç’fituam në Bashkinë e Kavajës në 8 maj”tha ai.Ndërkaq vetë zoti. Cara vlerësoi këtë mundësi të dhënë nga PS për t’iu bashkuar programit të saj, duke garantuar angazhimin e tij për më shumë vende pune, shërbim shëndetësor dhe arsim cilësor për të rinjtë.“Ndihem shumë krenar dhe jam shumë i emocionuar që po më jepet mundësia të kandidoj në qarkun e Tiranës, në rrethin e Kavajës, pra në qytetin tim. Ndryshimi në Kavajë filloi në vitin 2011 dhe sot pas 22 vjet harresë Kavaja nuk është më bastion i asnjë partie politike. Sot Kavaja është bastion i qytetarëve të Kavajës. Unë mendoj se ne kemi dëshirën, vullnetin, energjitë e duhura për ta drejtuar Shqipërinë drejt një rilindje, fal programit të Partisë Socialiste dhe falë një ekipi me Edi Ramën në krye. Besoj se ne do të bëjmë të mundur më shumë vende pune, një shërbim shëndetësor të nevojshëm dhe jo shërbim xhepash dhe një arsim cilësor që do të bëjë të mundur punësimin e të rejave të rinjve”u shpreh Cara.