FRD aktivitete në Itali, krijohet dega e FRD-së në Firence, Lucca dhe Siena

Fryma e Re Demokratike ka zhvilluar ditën e djeshme një mori aktivitetesh në Itali.Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, i ftuar nga drejtori i departamentit të studimeve strategjike dhe ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Profesor Luciano Bozzo, ka mbajtur një leksion të hapur me studentët dhe pedagogët e Universitetit të Firences.Tematika e trajtuar në takim ishte “5 vjet nga pavarësia e Kosovës”. Topi vlerësoi heroizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, maturinë e liderëve Kosovarë si dhe rolin vendimtar të NATO-s dhe SHBA-ve për ndihmën dhe mbështetjen në funksion të pavarësisë së Kosovës. Duke folur mbi të ardhmen e shqiptarëve në rajon, kryetari i FRD-së tha se shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë duhet ta shohin të ardhmen e tyre të përbashkët në Bruksel. Gjithashtu Topi nuk la pa përmendur edhe rëndësinë e faktorit shqiptar,si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë.Gjatë leksionit të hapur pati diskutime dhe pyetje në drejtim të Topit nga studentët dhe pedagogët e Universitetit të Firences.Shoqata e studentëve shqiptarë të Firences i dha titullin President Nderi, Bamir Topit në shenjë vlerësimi. Përsa i përket shtrirjes së FRD-së në shtetin fqinjë gjatë një takimi po në Firence me studentë dhe emigrantë u zyrtarizua dega e FRD-së në këtë qytet dhe dy degë të tjera të FRD-së në Itali, përkatësisht në Lucca dhe Siena. Në takimet me simpatizantë të FRD, Topi u shprehu mirënjohjen gjithë emigrantëve shqiptarë për kontributin që kanë dhënë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Kryetari i FRD-së theksoi se FRD do të angazhohet me të gjitha forcat dhe mundësitë e saj për ngritjen e një ministrie posaçërisht për emigracionin për t’u marrë me problematikat e emigrantëve. Gjatë diskutimeve u fol edhe për detyrën që ka radiotelevizioni publik shqiptar për t’u mundësuar fëmijëve të emigrantëve mësimin e gjuhës shqipe përmes emisione të posaçme. Topi ftoi emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen për të qënë aktivë në zgjedhjet e 23 Qershorit, duke marrë pjesë masivisht në votime në funksion të demokracisë shqiptare dhe rotacionit politik. Takimi vazhdoi me një komunikim të hapur rreth problemeve që shqetësojnë emigrantët shqiptarë. Takimet i përshëndetën edhe Urim Qinami, koordinator i FRD në Firence,Gentian Doda, koordinatori i FRD në Siena dhe aktivitetin në Lucca e përshëndeti drejtoresha e departamentit të cështjeve sociale në FRD, Edlira Seferi.