Studentja e aksidentit të Himarës, mjeku: Shëndeti mendor i Florie Peçit delikat

Florie Peçi, studentja e aksidentit të Himarës qëndron e shtruar në reanimacionin e spitalit obstetrik-gjinekologjik, "Mbretëresha Geraldinë".Ajo është në kujdesin e mjekëve dhe çdo ditë e takojnë familjarët dhe të afërmit.  Jashtë kamerave bluzat e bardha thanë se gjendja shëndetësore e Peçit është më e stabilizuar, por për fat të keq shëndeti i saj mendor është ende delikat. Për këtë arsye në dhomën e reanimacionit qëndron edhe një psikolog për të trajtuar rastin në fjalë, që për Peçin është një traumë e dytë.E aksidentuara e Himarës, 22 veçarja, është në javën e 23-të të shtatëzënisë dhe jashtë çdo kufiri ligjor për të bërë abort të vullnetshëm.Mësuam se bluzat e bardha janë duke biseduar me familjarët Peçi, që Florija të mos kryej këtë abort për shkak të komplikacioneve shëndetësore të mëvonshme. Mjekët në këtë rast duhet të marrin në konsideratë vendimin e shtatëzënës ose në rast se ajo nuk është e aftë, vendimin e familjarëve të saj.3 ditë më parë vëllai i Florijes, Gazmend Peçi, denoncoi në Prokurorinë e Përgjithshme, faktin që motra e tij e cila qëndroi disa muaj, fillimisht në koma dhe më pas e zgjuar, në një nga klinikat më të mira diagnostikuese në Austri, është përdhunuar dhe është shtatëzënë. Prokurioria, ka nisur hetimet prej disa ditësh. Deri tani ende nuk ka asnjë emër e asnjë fajtor për këtë traumë të fortë të familjes Peçi, por më e madhja për vetë Florien. Ajo nuk është në gjendje  të vendosë nëse do të bëjë apo jo abort të kësaj shtatëzënie, që sipas pretendimit të familjarëve është fryt i një përdhunimi në Austri.