Rama për shëndetësinë: Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, dallim i qartë me palën tjetër

Sistemi Shëndetësor që Partia Socialiste do të ndërtojë në mandatin e saj të parë qeverisës menjëherë pas 23 qershorit do të bëjë që spitalet e Shqipërisë të ofrojnë një panoramë krejt të ndryshme nga kjo e sotmja, ndërsa ata që do të votojnë për vizionin e PS, se shëndeti është një e mirë publike dhe jo një mall që duhet blerë me para, do të shohin se vota e tyre ka vlejtur.Ky ka qenë angazhimi i kryetarit të PS-së Edi Rama gjatë tryezës së zhvilluar me mjekë, infermierë dhe specialistë të tjerë të fushës të zhvilluar sot pasdite, në kuadër të javës së shëndetësisë, pjesë e turit për prezantimin e Programit për një Rilindje Shqiptare.“Reforma që ne propozojmë është më radikalja dhe më e vështira në gjithë paketën që kemi planifikuar për një Rilindje shqiptare. Por, ia vlen, e dyta është njësoj si një terapi, për të ndërmarrë përpjekjen e fundit dhe atë më të rëndësishme një të sëmurë që po të ikën nga duart. Se sistemi shëndetësor po ikën nga duart, por ne e ngrejmë në këmbë. Në fund të mandatit tonë të parë, ata që më 23 qershor do na votojnë për të përqafuar vizionin tonë, do votojnë faktin se shëndeti është mall që blihet dhe kur nuk ke lekë dhe nuk e ble dot dhe se spitalet e Shqipërisë dhe mjekët që kam përballë do kenë një panoramë ndryshe që kemi sot”tha Rama.Kreu i PS e ka rivënë theksin te domosdoshmëria e ndryshimit të sistemit tashmë të falimentuar plotësisht të shërbimit shëndetësor përmes kontributeve dhe zëvendësimit të tij me sistemin universal, ku shërbimin shëndetësor e blen shteti përmes Institutit Kombëtar të Shërbimit Shëndetësor dhe pastaj ua shpërndan qytetarëve sipas nevojës që ata kanë dhe jo sipas mundësive të tyre financiare.“Shërbimi shëndetësor që ne themi nuk është se nuk kushton. Kushton, por në qoftë se një pjesë e rëndësishme e popullsisë nuk e blen dot, dikush duhet ta blejë, sepse është një e mirë publike, që çdokush ka të drejtën ta gëzojë, në një shoqëri demokratike dhe në një vend që ne duam ta qytetërojmë në kuptimin e plotë të fjalës në shekullin e XXI në mes të Europës. Atëherë këtë do ta blejmë ne dhe do ta ofrojmë falas. Do ta blejë shteti dhe përmes Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, një institucion që ne do ta themelojmë do ta ofrojmë për qytetarët. Pra, blerësi i shërbimit do të jetë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Shqipërisë. Cdo shqiptar nëpërmjet këtij shërbimi do të marrë kujdesin shëndetësor që i takon. Për sa i përket asaj se a mund të ketë apo jo shëndetësi falas, sepse këtu bëhet i gjithë debati, po sot a nuk është falas për fëmijët? A nuk është falas për invalidët? Të paktën e pranuar ligjërisht. Ja pra që paska shëndetësi falas. Dhe për kë? Për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë. Po ata që nuk kanë mundësi ta blejnë në këndvështrimin tonë dhe në botëkuptimin tonë për jetën dhe për shoqërinë nuk janë vetëm fëmijët dhe invalidët, por janë dhe ata që realisht nuk kanë mundësi ta blejnë. Janë të papunët, por janë dhe pensionistët, për të cilët na thuhet se e kanë shërbimin, ndërkohë që jo më larg se pardje, në të njëjtin vend për të cilin fola pak më parë, ku pata rastin ta provoj vetë në vetë të parë se në qoftë se sot ka ende kujdes shëndetësor që nuk lidhet më me sistemin, por lidhet vetëm me mjekë dhe infermierë që janë të pasionuar dhe të dedikuar, ne takuam një çift pensionistësh, ku burri s’kishte të dy duart dhe ku e shoqja shpjegoi se nuk gëzonte absolutisht asnjë lloj mbulimi të posaçëm. Kur ne themi se shërbimet publike duam t’i japim sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, e kemi vendosur vijën ndarëse shumë të qartë. Ata thonë sipas xhepit, ne themi sipas nevojës. Shqiptarët duhet të zgjedhin” u shpreh Rama.