Peleshi në Berat: Brenda janarit konkursi për ndërtimin e ishullit
Zv.kryeministri Niko Peleshi, zgjodhi ditën e ujit të bekuar, për të deklaruar se projektet për zhvillimin e Beratit, do të vijojnë edhe gjatë vitit 2015, ku do të investohet për trotuaret, lulishte, etj.Nga Ura e Goricës, ku vijon puna për rikonstruksionin e saj, numri dy i qeverisë tha se të tjera projekte të rëndësishme si "Ishulli I Beratit" do të marrin jetë së shpejti. Do të jetë një konkurs ndërkombëtar që do të përzgjedhë studion fituese për zbatimin e projektit.“Sot kam kënaqësinë që të lançoj edhe një vendim të Qeverisë Shqiptare për të kthyer lumin e bukur të Osumit që kalon përgjatë qytetit të Beratit në një lumë të vërtet urban, të disiplinuar dhe të hijshëm. Projekti që ne do të jetësojmë pas konkursit ndërkombëtar që do të shpallet së shpejti është ndërtimi i ishullit në qendër të Osumit pranë qendrës së qytetit të Beratit.Është një ishull që në fakt ka qenë në planet shumë të hershme rregulluese të këtij qyteti dhe që do t’i shërbejë qytetit për të ndërtuar atje, siç do të vendosë juria ndërkombëtare pas konkursit, struktura që do t’i rrisin vlerat qytetit të Beratit për ta bërë atë ashtu siç ka filluar të jetë një qytet me të vëretë turistik, një atraksion jo vetëm lokal, por edhe kombëtar për të gjithë turistët vendas dhe të huaj, për të gjallëruar ekonominë lokale, për t’i dhënë asaj shëndet dhe në fund të fundit për të arritur misionin tonë të përbashkët, të qeverisë, të deputetëve, të bashkisë, që është një jetë më e mirë, më e mirëqenë për qytetarët e Beratit.”Miniishulli i Beratit, i krijuar pas sistemit të lumit Osum, shtrihet në pjesën muzeale të qytetit dhe do synohet të bëhet një kompleks multifunksional, kulturor-turistik.