Krimi përplas PD-PS, Ristani:Qeveria e lidhur me krimin;Bushati: Ashtu e le ti
Ngjarja e mbrëmshme përplasi PD dhe PS. Arben Ristani akuzoi Ministrin Tahiri dhe policinë për lidhje me bandat kriminale, ndërsa nga selia rozë u kundërpërgjigj Ervin Bushati ,i cili deklaroi se vetë Ristani e politizoi dhe e la në ditën më të keqe Policinë e Shtetit.Tirane- Për Partinë Demokratike ajo që ndodhi në Tiranë mbrëmjen e së hënës ishte një përleshje e përgjakshme bandash që nxori lakuriq kryeministrin e Ministrin e Brendshëm pas mburrjes për një bilanc suksesesh gjatë vitit 2014.“Ngjarja e mbrëmshme që ka tronditur qytetarët e Tiranës, e nxori lakuriq Kryeministrin dhe Ministrin e tij të rendit, pas mburrjes së tyre me shifra kot, me statistika të sajuara, që nuk i hyjnë në punë askujt”.Por Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, shkon më larg kur akuzon se bandat kanë mbrojtjen e qeverisë dhe se prania e një agjenti policie në përplasje kompromenton direkt Ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin Rama.“Dihet botërisht se banda e përplasjes së përgjakshme, ka lidhje me qeverinë.Por përfshirja fizike në këtë histori e një efektivi të policisë, është një fakt i rëndë, kompromentues, që bën përgjegjës drejtpërdrejt Saimir Tahirin, që bën përgjegjës shefin e Tahirit, Edi Ramën.Efektivi policor, pjesë e kësaj përplasjeje bandash, është aty me dijeninë dhe miratimin e Ministrit, është aty për të shërbyer favoret politike.Partia Demokratike e denoncon këtë ngjarje të rëndë, që dëshmon se Kryeministri dhe Ministri i tij ofrojnë mbrojtje, ofrojnë siguri, dhe garanci policore për bandat.Kjo ngjarje tregon se banda ka jo vetëm lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj kriminal, por ka drejtpërdrejt mbështetjen e qeverisë me burime njerëzore”.Ndërsa nga selia rozë u kundërpërgjigj,Ervin Bushati, i cili deklaroi se vetë Ristani e politizoi dhe e la në ditën më të keqe Policinë e Shtetit.“Që ende nevojitet shumë punë në luftën kundër krimit, kjo është e vërtetë. Njësoj siç është e vërtetë se policia që trashëgoi qeveria e re ishte lënë nga zoti Ristani, ish zëvendësministër i Brendshëm, si mos më keq. E keq trajnuar, e keq pajisur dhe sigurisht me individë të lidhur me krimin në krye të policisë që duhet ta luftonte krimin.Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur numri dy i Ministrisë së Brendshme ishte Arben Ristani, i dënuar nga gjykata, me të kaluar penale.Sigurisht që numri dy i Partisë Demokratike nuk flet për veten e tij, as për të kaluarën e tij.Partia Socialiste mbështet punën e Policisë së Shtetit dhe e inkurajon atë për të vazhduar luftën pa kompromis ndaj çdokujt që shkel dhe abuzon me ligjin”.